A u vetësakrifikua Partia e Lirisë për PD-në? Silva Caka: Ka pasur solidaritet, kemi parë interesat e publikut

schedule19:40 - 27 Tetor, 2022

schedule 19:40 - 27 Tetor, 2022

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë arritën sot një marrëveshje për zgjedhjet lokale, të cilën e ka komentuar edhe Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e PL, Silva Caka.

Caka tha në “Radar Informativ” se kjo është një nga marrëveshjet më të pastra të bëra ndonjëherë në Shqipëri dhe shtoi se ka ende teknikalitete për t’u diskutuar.

E pyetur nëse PL është vetësakrifikuar për Partinë Demokratike, Caka e mohoi duke theksuar se ka pasur solidaritet.

“Ka ndodhur kjo gjë në të shkuarën dhe patëm një kosto shumë të madhe. Erdhi edhe për shkak të një lloj solidariteti deri në vetëmohim. Nuk ka lidhje me vetësakrifikimin, është një nga marrëveshjet më të qarta dhe të pastra që mund të ketë pasur ndonjëherë në Shqiqëri. Palët kanë pasur një dakordësi të madhe, interesat politike janë lënë mënjanë dhe janë parë interest e publikut. PD dhe PL janë treguar racionale dhe tolerante me njëra-tjetrën. I është lënë një përgjegjësi kryesore PD për përzgjedhjen e kandidatëve përmes primareve. Mund të ketë edhe ndonjë përjashtim, sërish kandidatura e PL do t’i nënshtrohet primareve. Ka disa teknikalitete që nuk përputhen mes dy partive dhe do diskutohen me detaje kur grupet e punë të ulen e të diskutojnë si do shkojë kjo çështje”, tha Caka.

Ajo foli edhe për protestën e 12 nëntorit të lajëmruar nga kryedemokrati Sali Berisha dhe tha se strategjia e opozitës do të zbulohet aty.

“Ky është vetëm fillimi dhe strategjia do të kuptohet që atë ditë. Do jetë shumë e dukshme për ne që do të jemi prezentë dhe ata që do na ndjekin. Arsye për të protestuar ka mjaftueshëm”, tha Caka. /abcnews.al