A rekomandohet kombinimi i vaksinave? Sulçebe: Sinovac na mbron nga format e rënda të virusit

schedule09:01 - 12 Prill, 2021

schedule 09:01 - 12 Prill, 2021

Imunologu Genc Sulçebe rekomandoi përdorimin e vaksinës kineze pasi, siç theksoi ai,  ndonëse ka një përqindje më të ulët efektiviteti në krahasim me vaksinat e tjera, mund të na mbrojë nga format e rënda të virusit. I ftuar këtë të hënë në “Abc-ja e mëngjesit”, imunologu tha se nuk mund të presim për vaksinën më të mirë por të marrin atë që ka një efektivitet të pranueshëm për ta aplikuar sa më shpejt dhe më gjerë.

I shpëtojmë formave të rënda, mund të kalojmë një covid të lehtë, por i shpëtojmë rastit për të shkuar në spital. Sigurisht që funksionon sepse jep imunizim por efektin e saj e shohim pas dy muajsh. Këtu ka një problem sepse kanë aplikuar dy doza të ndara në 15 ditë dhe do të shihet pas dy muajsh kur personi i vaksinuar do të ketë një përgjigje imunitare të matshme dhe të sigurt. Do shihet me numrin e rasteve dhe antikorpet.“, u shpreh imunologu.

Më tej, Sulçebe tha se ekspertët kanë rekomanduar gjithashtu kombinimin e vaksinave por shtoi se nuk janë kryer studime. “Nëse bën tre doza nuk të gjen gjë, mund të bësh dhe një lloj vaksine tjetër. Janë rekomandime të studiuesve që nuk i kundërshtojnë por nuk janë studiuar pasi nuk ka kohë të bësh studime.

Aq më tepër që numri i rasteve po bie kudo dhe për të bërë studime të tilla duhen shumë muaj dhe nuk pret koha. Nuk ka asnjë arsye pse mos të bëhen. Vaksinat me adenovirus si Johnson & Johnson, Sputnik etj mund të kombinohen me ato me ARN.”, shtoi më tej Sulçebe. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!