TIRANË- Gara për qytetin e Shkodrës mund të ketë surpriza. Kështu u shpreh analisti i njohur Skënder Minxhozi në studion e lajmeve në Abc News.
Ai tha se Sali Berisha nuk do ta ketë të lehtë garën në këtë qytet, dhe për këtë solli në vëmendje dy elementë përcaktues: humbjen e mbështetjes nga ish-krahu i LSI dhe futja në garë e Benet Becit, një kandidat ky, i cili sipas Minxhozit është një aset menaxherial, që është krijuar në qeverinë Berisha dhe në këtë kuadër mund të marrë shumë vota nga e djathta.
Ai shtoi se gara në kryeqendrën e veriut është e ethshme dhe këtë gjë e tregojnë edhe sondazhet.
“Në Bashkinë e Shkodër ka probleme dukshëm se sa një kandidat i Aliebajt të cilin do ta kontrollonte lehtësisht. Berisha në Shkodër ka humbur krahun e ish-LSI. Berisha ka një faktor që quhet Tom Doshi, i cili është konsoliduar me kalimin e viteve dhe është provuar se është një faktor i qenësishëm në terren dhe mbi të gjitha. Berisha ka një probleme të madh në Shkodër që quhet Benet Beci, të cilin do ta ketë të vështirë ta sulmojë, sepse është një aset menaxherial i krijuar nga qeveritë Berisha dhe që ka punuar dhe me qeveritë socialiste. Benet Beci është një investim që kalon lojërat politike brenda të djathtës apo nëse doni ju edhe mes të djathtës dhe të majtës. Është një aset që shtrihet dhe që fillon nga e majta dhe futet thellë në territoret e së djathtës. Po krijohet një garë e ethshme në Shkodër, dhe siç e thonë sondazhet, që gara do jetë milimetrike dhe kjo është një herë e parë për këtë qytete dhe këtë bashki, siç ju e dini, që nuk ka fituar asnjë kandidat i majtë në këto 32 vite.”, tha ai.
Ai komentoi rolin që po luan kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në këtë fushatë elektorale. Sipas tij, Meta luan rolin e një bime parazitare, që po zgjedhë të rritet në trupin e partive të majta dhe atyre të djathta.
Për analistin Minxhozin, në këto kushte dhe konfigurime, Ilir Meta e ka kuptuar se është i domosdoshëm dhe mund të shërbejë si oksigjen politik për ish-kryeministrin Berisha, i cili është shpallur person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “minim demokracie dhe për korrupsion”.
“PL është sërish në rolin e saj të asaj bime parazitare, që rritet në trupin e një parti herë djathtas dhe herë majtas. Këtë rol bën: kur zihen dy vetë, përfiton një i tretë. Meta po ndërton rezultatin final të 14 majit vetëm mbi përçarjen që ka sot në PD. Ai e ka kuptuar se për Berishën, Ilir Meta është oksigjen dhe është i domosdoshëm”, tha ai./n.m.abcnews.al