Në një lidhje direkte me studion e lajmeve në Abc News, drejtoresha e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka folur edhe rreth situatës jo fort të mirë në Shkodër.
Pas Tiranës, qyteti i Shkodrës vazhdon të mbetet një “vatër e nxehtë” e koronavirusit. Deri më tani, në Shkodër numëron 71 raste të konfirmuara me koronavirus dhe është raportuar gjithashtu për vatra të ndryshme të infeksionit.
Ka pasur edhe zëra, kryesisht nga opozita se Shkodra është “diskriminuar” dhe se janë bërë më pak teste. Lidhur me këtë çështje, drejtoresha e epidemiologjisë në ISHP është shprehur se e kundërta është e vërtetë.
Sipas saj, në Shkodër janë bërë më shumë teste edhe krahasuar me rrethet e tjera, por kanë qenë vetë shkodranët ata që janë treguar disi të papërgjegjshëm.
Pjesë nga intervista në studio:
Endri Xhafo: Çfarë ndodhi në Shkodër? Janë bërë më pak teste?
Silva Bino: Shkodra ka bërë shumë më tepër teste sesa rrethe të tjera. Masat e distancimit social në Shkodër nuk janë respektuar siç duhej. Fajin e kanë edhe vetë shkodranët. Në Shkodër 60 per qind e rasteve janë asimtomatikë, kjo vjen nga gjurmimi epidemiologjik, si do të ishin kapur ndryshe? Kjo është bërë në baze të gjurmimit dhe testimit.
Më tej zonja Bino thotë gjithashtu se në fillim testohen personat që kanë shenja të virusit dhe se nuk kemi të bëjm me testime në masë, edhe pse kjo gjë është kërkuar shpesh nga OBSH dhe raportet tregojnë se shtete si Gjermania që po testojnë në masë po e menaxhojnë më mirë krizën e Covid-19.
Silva Bino: Ti nuk teston në masë. Ti vazhdimisht duhet të jesh në kontroll, të ruash masat e distancimit social, edhe pse e ke bërë testin duhet të vazhdosh të jesh i kujdesshëm.
Ndërsa sa i përket rasteve kur ka pasur raportim të vetëm një rasti për një qytet specifik, Bino thotë se kanë qenë raste që kanë rënë në kontakt, në një mënyrë apo tjetër me persona të infektuar.
Silva Bino: Ose personi ka pasur kontakt me ata të infektuarit në qytet tjetër, mund të kenë qenë në një furgon, ose është identifikuar nga mjekët ose 127. Këto janë burimet nga të cilat sigurohet informacioni, nepërmjet këtij ne zgjerojmë hetimin dhe fillojmë kontrollojmë të gjitha grupet. Sigurisht marrin përparësi ata që janë të rrezikuar ose ata që punojnë në grupe të mëdha, si fasoneritë.
Një tjetër problematikë në Shkodër është raportimi i katër rasteve që kanë ndërruar jetë, ndërsa ishin të infektuar, por nuk janë shpallur si “vdekje Covid” nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Rasti i radhës u raportua sot.
Një 82-vjeçar nga Shkodra ndërroi jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjatë ditës së sotme, i cili ishte i infektuar me koronavirus. I moshuari ishte sjellë nga Shkodra së fundmi në këtë spital dhe rezultonte pozitiv me koronavirus. Megjithatë, edhe pse ishte me koronavirus, i moshuari nuk është futur në listën e personave që kanë vdekur nga koronavirusi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ai ka vdekur nga tromboembolia pulmonare, tromboza e venës porta, trombozës së venës renale dhe absesi subdiafragmal.
Lexo edhe: Vdes shkodrani me koronavirus, autoritetet nuk e “numërojnë”
Ky është rasti i katërt nga Shkodra, i cili ka ndërruar jetë duke qenë i infektuar me koronavirus që shkak për vdekjen e tij nuk konsiderohet koronavirusi, por sëmundje të tjera.
Lidhur me këtë çështje, Bino u shpreh se ka ekspertë qe merren me përcaktimin e rasteve dhe se çdo vend ka metodën e vet. Zonja Bino gjithashtu hedh poshtë mundësinë që të kemi të bëjme me ulje të shifrave nga ana e ministrisë.
Endi Xhafo: Cila është metodologjia që po ndiqet? A po përpiqeni të ulni shifrat?
Silva Bino: Jo, me vdekshmërinë merren një grup ekspertësh. Ka ekspertë të përcaktuar, këta kanë qenë persona që kanë qenë të infektuar por ishin në koma.
Endri Xhafo: Si e ka marrë virusin ai që ka qenë në koma?
Silva Bino: Ishte infermierja e infektuar që e trajtoi. Pastaj sesi është infektuar infermierja është diçka tjetër. Kemi bërë një gjurmim të thelluar. Ka një debat të sotëm për klasifikimin e vdekshmërive. Është dicka që po diskutohet dhe është e saktësuar. Çdo vend ka metodologjinë e vet…U kërkua nga OBSH që të ketë nje metodologji standarte. Ne duhet të jemi të saktë, të ndërtojmë metodologjinë tonë. /abcnews.al/