A po tërhiqet presidenti Trump nga lufta tregtare me Kinën?

schedule09:37 - 26 Gusht, 2019

schedule 09:37 - 26 Gusht, 2019

Presidenti amerikan Donald Trump këmbëngul se diskutimet po shkojnë mirë në samitin e G-7 në Biarritz të Francës, megjithë mosmarrëveshjet e dukshme me liderët për një numër çështjesh, përfshirë luftën tregtare me Kinën, Iranin, kërcënimin e paraqitur nga Koreja e Veriut dhe kthimin i Rusisë në grupimin e demokracive më të përparuara në botë.

Të dielën në mëngjes presidenti Trump dukej se po zbuste qëndrimin e tij për luftën e tij tregtare me Kinën.

“Po e mendoj përsëri gjithçka”, tha presidenti kur u pyet për këtë çështje.

Disa orë më vonë Sekretarja e tij e Shtypit Stephanie Grisham tha se deklarata e presidentit është “keqinterpretuar shumë”. Ajo shtoi se, “Presidenti Trump u përgjigj në atë mënyrë – duke shprehur keqardhje që u ngriti edhe më shumë “tarifat për mallrat kineze “.

Deklarata duket se është përpjekje e Shtëpisë së Bardhë për të kontrolluar mesazhin. Presidenti Trump shpesh thekson se ai është i vetmi udhëheqës amerikan që mund të “përballet me Kinën”, dhe po vë bast se qëndrimi i tij agresiv do ta ndihmojë atë të fitojë mbështetjen e bazës së tij, në përpjekjet për t’u rizgjedhur në vitin 2020.

Drejtuesit e G-7 kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e luftës tregëtare, me presidentin francez, Emmanuel Macron që tha se shpreson që liderët të tërhiqen nga një luftë gjithëpërfshirëse.

“Unë dua t’i bind të gjithë partnerët tanë që tensionet, dhe veçanërisht tensionet tregtare janë të këqija për të gjithë,” tha ai në një fjalim.

Duke folur përkrah presidentit Trump gjatë takimit të tyre në mëngjes, Kryeministri britanik Boris Johnson kundërshtoi publikisht deklaratën e zotit Trump se drejtuesit e tjerë nuk i kanë bërë presion të hiqte dorë nga lufta tregtare me Kinën, që besohet se po shkaktonte pasiguri në ekonominë globale dhe paqëndrueshmëri në tregjet e aksioneve.

“Për të qënë të saktë, për pikëpamjen tonë në luftën tregtare, ne jemi në favor të paqes tregtare në tërësi, dhe për ta zbutur atë nëse kemi mundesi,” tha kryeministri Johnson.

Johnson shihet si një aleat i natyrshëm i presidentit Trump për shkak të ngjashmërive në politikat e tyre populiste dhe Brexit.

Mosmarrëveshjet për Iranin

Në samit, Macron prezantoi një plan për të ulur tensionet në rritje në Gjirin Persik duke hequr pjesërisht embargon e naftës amerikane ndaj Iranit në këmbim të kthimit të Teheranit për të zbatuar në përputhje të plotë marrëveshjen e vitit 2015 që kufizon programin e saj bërthamor.

Ai i tha televizionit LCI se anëtarët kanë rënë dakord për një veprim të përbashkët për Iranin.

I pyetur nëse e mbështet presidentin Macron për t’i dhënë mesazhin Teheranit në emër të vendeve të G-7, Trump tha: “Jo, nuk e kam diskutuar këtë”.

Presidenti Trump vazhdon t’i rezistojë presionit nga homologët e G7-ës për t’u rikthyer në paktin bërthamor me Iranin, një marrëveshje që konsiderohet si një arritje e administratës Obama. Presidenti Trump e braktisi marrëveshjen vitin e kaluar dhe vendosi sanksione të ashpra ndaj Teheranit.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif mbërriti në Biarritz, të dielën pasdite. Një zyrtar i lartë francez tha se presidenti Macron e ftoi atë në një përpjekje për të lehtësuar tensionet.

Trump nuk pranoi të komentojë për ardhjen e zotit Zarif.

Risjellja e Rusisë në G7

Trump tha se rikthimi i Rusisë në G-7 është “një punë që do të dojë kohë”.

“Ne kemi një numër udhëheqësish që dëshirojnë të shohin kthimin e Rusisë në grup,” tha ai, por nuk përmendi cilët ishin ata.

” Nuk u mor asnjë vendim,” tha presidenti Trump.

Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së Rusisë. “Ka zona të botës ku ne kemi interesa të përbashkëta që janë të rëndësishme,” tha ai.

Në vitin 2014, anëtarët e G8 pezulluan anëtarësimin e Rusisë pas aneksimit të Krimesë, një pjesë e territorit të Ukrainës të cilën Moska ende e mban të pushtuar.

Macron ka theksuar se ripranimi i Rusisë në G7 pa zgjidhjen e krizës së Ukrainës do të nënvizonte “dobësinë” e grupimit. “Do të ishte një gabim strategjik për ne,” tha ai.

Në fillim të kësaj jave Gjermania dhe Britania gjithashtu hodhën poshtë idenë për të ftuar Rusinë përsëri në grup.

Të shtunën, Donald Tusk i cili si president i Këshillit Evropian përfaqëson 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian tha se ka më shumë arsye tani për përjashtimin e Moskës, duke përfshirë “provokimin rus në detin Azov”, një referencë e dukshme për ndalimin e marinarëve ukrainas vitin e kaluar .

BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për rolin e saj në konfliktin e Ukrainës.

Koreja e Veriut

Gjatë një takimi dypalësh me presidenti Trump, kryeministri japonez Abe dënoi me forcë provat e fundit me raketave të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

“Pozicioni ynë është shumë i qartë,” tha kryeministri Abe përmes një përkthyesi. “Lëshimi i raketave balistike me rreze të shkurtër nga Koreja e Veriut shkel qartë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi për herë të parë për dy predha, që dyshohet të jenë raketa balistike me rreze të shkurtër që Koreja e Veriut lëshoi të shtunën në Detin e Japonisë, i njohur edhe si Deti Lindor. Ky është lëshimi i shtatë i realizuar që kur Koreja e Veriut i dha fund një ndërprerje 17-mujore të provave në fund të korrikut.

Presidenti Trump kërkoi të minimizojë kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut.

“E kuptoj se si ndihet Kryeministri i Japonisë,” tha Trump. “Është ndryshe. Por, dua të them, e kuptoj plotësisht”.

Trump tha se ai nuk është “i lumtur” për provat, por nuk i konsideron ato shkelje. Ai tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut nuk është i vetmi që teston ato raketa.

“Jemi në botën e raketave, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo,” tha presidenti Trump./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!