A po shërben si “marionetë” e Berishës në garën për kreun e PD? Elezi: Unë jam antitezë e ish-kryeministrit, s’jam pjesë e oborrit

schedule19:57 - 9 Maj, 2022

schedule 19:57 - 9 Maj, 2022

Kandidati për kreun e PD, Ibsen Elezi i ftuar në “radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, komentoi vendimin e tij për të qenë përballë Berishës.

I pyetur nga Xhokaxhi rreth zërave se futja e tij në garë është bërë vetëm për të shërbyer si marionetë e Berishës, Elezi tha se kjo është krejtësisht e pavërtetë, pasi të gjithë demokratët e dinë se ai nuk ka dalë nga oborri i ish-kryeministrit.

Gjithashtu Elezi tha se ai do të mbështeste Edvin Kulluri nëse ai do të kishte qenë pjesë e garës përballë Berishës, por tërheqja e tij bëri që të vinte dhe vendimi që vetë ai të kandidonte.

Ndërkohë Elezi tha se gara këtë herë është mjaft e vështirë, pasi Sali Berisha i ka lënë kundërshtarit vetëm 12 ditë kohë fushatë, ndërkohë që vetë ka 8 muaj që bën fushatë në çdo degë.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: I druheni faktit që ka filluar të qarkullojë se Ibsen Elezi u bë marionetë e Sali Berishës?

Elezi: Nuk e besoj se e beson kush. Ka 5 vite që e kam artikuluar qartë për atë që mendoj për PD-në, unë jam antitezë e Sali Berishës. Unë nuk kam qenë ndonjëherë në oborrin e Berishës.

Xhokaxhi: Por ngaqë ke qenë protestues edhe brenda oborrit të PD, të kanë konsideruar si krahu i fortë, dhe krahu i fortë është ai i Berishës?

Elezi: Nëse do e vazhdonte garën Kulluri, unë do mbështesja Kullurin. Por ai u tërhoq, unë i pranoj edhe kushtet e disfavorshme.

Xhokaxhi: Berisha e ka artikuluar se gara do të jetë e barabartë?

Elezi: Një nga gjërat që dua të artikuloj fort është se burri duhet të lidhet për fjalë dhe për vepra, Berisha nuk është më i tillë. Të bësh 8 muaj fushatë, dhe ta trajtosh veten sikur je kryetar partie kjo nuk është më barazi. Ai ka 8 muaj fushatë, kurse garuesi tjetër 12 ditë kohë, kjo nuk është më një garë.

/T.H/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!