Pjesa tjetër e Kontinentit të Vjetër, e rraskapitur nga lufta në Ukrainë, është e frikësuar nga një sulm rus. NATO po forcon krahun e saj lindor dhe vendet e vogla që dikur ishin pjesë e BRSS po pyesin veten nëse Amerika dhe aleatët e saj do t’i rrezikonin vërtet trupat e tyre nëse Vladimir Putin do të përshkallëzonte luftën.
E gjithë Europa ishte në ankth pasi burimet e inteligjencës ngritën shqetësime se Rusia mund të nisë një sulm ndaj vendeve të BE-së në dimrin 2024-2025, gjë që praktikisht do të nënkuptonte shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore.
Sipas Bild, ky agresion i mundshëm varet nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 në SHBA.
Tranzicioni presidencial në SHBA
Burimet e inteligjencës tregojnë se Rusia mund të shfrytëzojë mundësinë gjatë periudhës tremujore të tranzicionit në SHBA, nga zgjedhjet e nëntorit 2024 deri në inaugurimin presidencial të janarit 2025, raporton abcnews.al.
Rreziku do të rritet nëse presidenti aktual Joe Biden nuk siguron rizgjedhjen dhe ish-presidenti Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti çek Petr Pavel tha në fillim të këtij muaji se Putin po priste zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA, duke shpresuar të negociojë të ardhmen e luftës Rusi-Ukrainë me Trump pa ndërhyrjen e ndonjë vendi europian.
Ish presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, së fundmi tha se mundësia e rikthimit të Trump, i cili tashmë ka njoftuar se nuk do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, është shqetësuese.
“NATO mund të dobësohet nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. Ne kemi lidership në Lindje që është gati të luftojë, të bëjë luftë, të ndryshojë botën.
Por ne nuk kemi një udhëheqje të tillë në Perëndim,” tha ajo.
Një sulm i mundshëm ndaj Europës gjatë tranzicionit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu gjithashtu shqetësimin se si zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA mund të ndikojnë ndjeshëm në rrjedhën e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ai paralajmëroi javën e kaluar se kthimi i Trump mund të ketë një “ndikim të madh” në luftën në Ukrainë.
“Nëse politika e presidentit të ardhshëm, kushdo qoftë ajo, është e ndryshme ndaj Ukrainës, mendoj se këto sinjale do të kenë një ndikim të fortë në rrjedhën e luftës”, tha ai.
Ndalimi i ndihmës amerikane dhe europiane po i shtyn aleatët e Ukrainës të reflektojnë për diçka që ata e hodhën poshtë në ditët e para të pushtimit rus, që Rusia mund të fitojë.
Me më shumë se 110 miliardë dollarë ndihmë që nuk janë dërguar për shkak të mosmarrëveshjeve politike në Uashington dhe Bruksel, është gjithnjë e më e diskutueshme se për sa kohë Kievi do të jetë në gjendje të zmbrapsë forcat ruse dhe të mbrojë qytetet, termocentralet dhe portet e tij nga sulmet me raketa, raporton abcnews.al.
Zelensky vlerësoi se Trump është një “personalitet i ndryshëm” nga Biden dhe se për këtë arsye ai do të zhvillojë një “politikë të ndryshme”. Megjithatë, ai shpreson se linjat kryesore të politikës amerikane ndaj Kievit do të ruhen.
“Kam besim se SHBA-ja nuk do të na tradhtojë”, tha ai.
Paralajmërimet
Grupi gjerman i ekspertëve DGAP lëshoi një paralajmërim për vendet perëndimore për një sulm të mundshëm të drejtpërdrejtë nga Rusia kundër NATO-s në gjashtë deri në 10 vjet.
Ndërkohë, Agjencia e Sigurisë Kombëtare Polake vlerësoi se do të ishte më e shpejtë dhe se Rusia mund të sulmojë NATO-n në më pak se 36 muaj.
Kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë, Jacek Severa, tha në fillim të këtij muaji se vendet e krahut lindor të NATO-s do të hynin në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë brenda tre viteve, duke hedhur poshtë një vlerësim të Këshillit të Punëve të Jashtme Gjermane se Rusia mund të pushtonte një anëtar të aleancës brenda gjashtë viteve.
“Nëse duam të shmangim luftën, vendet e NATO-s në krahun lindor duhet të miratojnë një periudhë më të shkurtër kohore trevjeçare për t’u përgatitur për konfrontim,” tha ai.
Zyrtarët polakë spekulojnë se Rusia mund të synojë anëtarët e NATO-s në Europën Lindore, duke përfshirë Poloninë, Estoninë, Rumaninë dhe Lituaninë.
Alarmi në Balltik
Në shtetet baltike, zyrtarët tashmë po informojnë publikun të jetë gati për luftën e ardhshme, sepse, sipas tyre, forcat e Putinit nuk do të shkatërrohen në Ukrainë. Pavarësisht nga garancitë publike të Biden, ish-anëtarët e BRSS janë në dilemë nëse SHBA dhe aleatët e tjerë do t’i rrezikonin vërtet trupat e tyre për t’i mbrojtur ato, raporton abcnews.al.
Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, shtetet baltike rritën shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe gjithnjë e më shumë po paralajmërojnë për rrezikun nga Rusia. Lituania ka frikë se do të jetë objektivi i parë i Rusisë nëse Ukraina humbet.
Vendi po përgatitet për një përshkallëzim të luftës në Ukrainë dhe një përpjekje të Putinit për të kaluar kufirin e tyre.
Një numër i madh lituanezësh po kthehen tani nga Irlanda, ku kanë punuar deri më tani, po i bashkohen ushtrisë, po patrullojnë përgjatë korridorit Suëalki dhe dhjetëra vullnetarë të tyre tashmë kanë shkuar në fushat e betejës ukrainase.
Gjermania po vendos trupa të përhershëm në Lituani
Ndërkohë, Gjermania ka njoftuar vendosjen e përhershme të trupave në Lituani, nga frika e një pushtimi rus, pikërisht pranë Korridorit Suëalki, një pikë e ngushtë që lidh Kaliningradin dhe Bjellorusinë, për të cilën planifikuesit ushtarakë perëndimorë paralajmërojnë se ka të ngjarë të jetë një nga objektivat e parë të Rusisë.
“Ne jemi gati të mbrojmë territorin e NATO-s,” tha javën e kaluar Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius.
Pjesa kryesore e njësisë ushtarake gjermane që do të vendoset në Lituani në 2025 dhe deri në 2027 do të arrijë gatishmërinë e plotë luftarake. Gjermania gjithashtu dëshiron të përmirësojë bashkëpunimin në mbrojtje me Poloninë.
“Ne duhet të kuptojmë se si të pozicionohemi më mirë në krahun lindor bazuar në planet e mbrojtjes të NATO-s,” tha Pistorius.
Në fillim të vitit të kaluar, kancelari Olaf Scholz foli për një “pikë kthese” dhe në maj të 2022 u arrit një marrëveshje për 100 miliardë euro për modernizimin e ushtrisë.
“Deutsche Welle” shkruan se Gjermania po mendon të rifusë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, përballë mungesës së avionëve luftarakë, fregatave dhe ushtarëve.
Sipas Bundesëehr-it, Gjermania kishte 181,383 ushtarë në dispozicion në fund të tetorit 2023, dhe gjatë Luftës së Ftohtë pothuajse gjysmë milioni.
Franca ashpëron masat
Si pjesë e një reagimi të përforcuar ushtarak në lindje, Franca ka vendosur trupat përmes Estonisë që nga viti 2017 si pjesë e një pranie të shtuar të NATO-s dhe Presidenti Emmanuel Macron ka forcuar më tej misionin LYNX, i cili tani ka 300 trupa, në bashkëpunim me SHBA-në dhe trupat britanike.
Ky bashkëpunim i përbashkët taktik synon jo vetëm të stërvitë Ligën e Mbrojtjes së Estonisë (EDL), por edhe të përshtatë forcat ushtarake franceze për luftë me intensitet të lartë në një mjedis aleat.
Bashkëpunimi ushtarak midis Francës dhe Estonisë, i cili daton në vitin 2011, pasqyron një ndryshim më të gjerë në politikën franceze të mbrojtjes. Ushtria franceze po tërhiqet nga vendet afrikane postkoloniale dhe po forcon praninë e saj në rajonet e Europës Lindore, raporton abcnews.al.
Në fillim të vitit 2023, ajo krijoi një komandë tokësore për Europën dhe pajisjet ushtarake shtesë u dërguan në Estoni për të siguruar stabilitet afatgjatë.
“Rusia nuk ka frikë nga NATO-ja” paralajmëroi në fillim të këtij muaji kreu i ushtrisë estoneze, Martin Herem, dhe vlerësoi se ushtria ruse mund të jetë gati të sulmojë NATO-n brenda një viti pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
Moldavia mund të jetë objektivi i radhës
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë belge, Michel Hoffman, paralajmëroi javën e kaluar se, pas Ukrainës, objektivat e radhës të Rusisë mund të jenë vendet baltike dhe Moldavia.
“Europa duhet të përgatitet urgjentisht dhe ta bëjë të qartë se mund të mbrohet dhe se do të hakmerret nëse është e nevojshme,” tha ai.
Zyrtarët amerikanë dhe moldavë pohojnë se Rusia po drejton një operacion të madh ndikimi në prapaskenë për të destabilizuar qeverinë aktuale në Kishinau me qëllimin e dukshëm të instalimit të një kukulle, pro-Moskës.
Në shkurt të këtij viti, presidentja e Moldavisë, Maja Sandu, akuzoi Moskën se po përpiqet të rrëzojë qeverinë.
Planet e Rusisë për një grusht shteti në Moldavi, tha ajo, përfshijnë protesta dhe angazhimin e pjesëmarrësve në trajnimin ushtarak, si dhe të qytetarëve të Federatës Ruse, Bjellorusisë, Serbisë dhe Malit të Zi, për të sulmuar ndërtesat qeveritare dhe për të rrëzuar qeverinë.
Në mars, Michael Carpenter, përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në OSBE, tha se qëllimi përfundimtar është “të minojë qeverinë pro-perëndimore të Presidentit Sandu dhe të kthejë vendin, i cili shpalli pavarësinë nga BRSS në 1991.
Më parë atë muaj, policia moldave tha se kishte arrestuar anëtarë të një grupi “të kontrolluar nga Moska” që synon të destabilizojë shtetin e vogël të ish-Bashkimit Sovjetik.
Finlanda forcon lidhjet ushtarake me SHBA-në
Finlanda, e cila u bashkua me NATO-n këtë vit mes paralajmërimeve nga Moska, ka forcuar mbrojtjen e saj dhe po kërkon të forcojë lidhjet e sigurisë me SHBA-në. Putin njoftoi më parë se Rusia planifikon të vendosë më shumë trupa përgjatë kufirit me Finlandën, më i gjati midis Rusisë dhe një anëtari të NATO-s, raporton abcnews.al.
“Deri më tani nuk ka pasur probleme, por tani do të ketë”, paralajmëroi ai.
Finlanda ka shprehur gjithashtu shqetësimin për krizën e orkestruar të emigrimit në kufirin finlandez-rus, duke sugjeruar se Rusia po përdor taktika të tilla si pjesë e një strategjie më të gjerë për të destabilizuar vendet perëndimore.
/abcnews.al.