TIRANË- Yevgeny Prigozhin, oligarku rus dhe aleati i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, njihet si themeluesi i grupit paraushtarak Wagner.
Ai së fundmi ka shfaqur ambicie politike, lëvizje e tillë që sipas njohësve shihet si një kërcënim për pozitat e presidentit të Rusisë Vladimir Putin.
Por, a po synohet përgatitja e një komploti ndaj Vladimir Putin përmes aleatit të tij? Kjo temë u diskutua mbrëmjen e sotme në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News nën drejtimin e gazetarit Artur Zheji.
Eksperti i gjeopolitikës, Enri Hide, thotë se ka pasur disa organizime për komplot ndaj presidentit rus dhe kjo është sinjalizuar nga shërbimet inteligjente perëndimore. Sipas tij, Pregozhin kaloi përtej limiteve të tij dhe kjo u pa si rrezik për Vladimir Putin.
“Ka pasur në fakt disa të tillë, që kanë qenë të sinjalizuara nga shërbimet inteligjente perëndimore. Në rastin Pregozhin, unë mendoj se kemi të bëjmë me një lider, i cili shkoi përtej limiteve të tij. Ai donte të kalonte në sferën politike dhe ishte një kërcënim potencial për Vladimir Putin.Putin nuk ka lënë askënd të shndërrohet në një kërcënim potencial”, tha ai.
Kapiteni Artur Meçollari, tha se aksioni ushtarak në Ukrainë është identifikuar me Vladimir Putin, ndaj çdo dështim i saj në terren do të rëndojë pozitat e tij në Rusi.
“Strategjia që u ndoq vitin e fundit nga Rusia në Ukrainë është e identifikuar me emrin e Putinit. Sa më shumë rëndohet pozita e ushtrisë ruse në Ukrainë, përgjegjësia bie më shumë te Putin”, tha ai.