A po merr AMA kompetenca që i takojnë Gjykatave? Ekspertët e “Venecias” takime me mazhorancën dhe opozitën

schedule15:25 - 10 Shkurt, 2020

schedule 15:25 - 10 Shkurt, 2020

Komisioni i Venecias tanimë e ka një panoramë më të qartë se çfarë është paketa e anti-shpifjes, e kundërshtuar fortë nga komuniteti i gazetarëve në Shqipëri por edhe nga organizma të huaja.

Siç e kishin të planifikuar në axhendë, në orën 9:00, 4 ekspertë të Komisionit të Venecias mbërritën në Kryesinë e Kuvendit, për t’u takuar fillimisht me zv/kryetaren e Parlamentit, Vasilika Hysi, një takim në fakt i parashikuar të ndodhte me Gramoz Ruçin.

Ata në turin fakt-mbledhës zhvilluan takime me përfaqësues të maxhorancës e po ashtu me ata të opozitës parlamentare dhe me anëtarët e Komisionit të Mediave.

Burime i thanë ABC News se pyetjet e tyre ishin përqendruar më shumë tek roli i Autoritetit të Mediave Audiovizive.  Ata kishin pyetur nëse qëndron shqetësimi se AMA po merr një rol që i takon gjykatave në raport me mediat.

Opozita parlamentare e ka konfirmuar këtë shqetësim në takimet me 4 ekspertët, ndërsa maxhoranca e ka mbrojtur paketën anti-shpifje me idenë se mbron dinjitetin e individëve.

Të martën në orën 10 grupi i ekspertëve të Venecias do të zhvillojë takim me Presidentin Ilir Meta, i cili në dekretin e kthimit në Kuvend tha se ishte një ligj në shkelje të Kushtetutës dhe cenon rëndë lirinë e mediave për të raportuar.

Faktet dhe informacionet që po marrin ekspertët do të përkthehen në një Opinion gjatë muajit mars e gjithashtu një vlerësim nga Komisioni i Venecias nëse paketa do të ketë nevojë për përmirësime. Mbi këtë paketë Komisioni i Venecias u vë në lëvizje nga Këshilli i Europës e më pas nga OSBE-ja./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!