Kandidati republikan për president, Donald Trump, ka propozuar të debatoj në Fox News më 4 shtator me zëvendëspresidenten amerikane, Kamala Harris. Por, ekipi i fushatës së Harris kundërshtoi duke thënë se Trump po përpiqet të tërhiqet nga një debat që tashmë është caktuar të transmetohet në ABC.
Harris, e cila së fundmi siguroi votat e delegatëve të nevojshëm për të siguruar nominimin e demokratëve për zgjedhjet e 5 nëntorit, tha se ka në plan të marrë pjesë në debatin e planifikuar fillimisht.
“Unë do të jem atje më 10 shtator, siç ka rënë dakord ai. Shpresoj se do ta shoh atë atje”, tha Harris.
Zëdhënësi i zëvendëspresidentes, Michael Tyler, tha se Trump është “duke vrapuar i frikësuar” dhe se fushata e saj ishte e lumtur të diskutonte debate të mëtejshme pas atij të 10 shtatorit, për të cilat “të dy palët tashmë kanë rënë dakord”.
Ndërkohë, Trump tha se Harris “ka frikë ta bëjë këtë” dhe se do ta shohë atë më 4 shtator, “ose nuk do ta shoh fare”. Në një tubim në Atlanta, Trump sulmoi karakterin e Harris dhe politikat që ajo ka promovuar si zëvendëspresidente, duke vazhduar të ngrinte pyetje në lidhje me identitetin e saj racor.
Ish-presidenti vazhdoi me fyerjet ndaj demokrates, duke thënë se “ka 19 mënyra të ndryshme për ta shqiptuar emrin e parë të Harris”, ndërkohë që e quajti atë “të çmendur” me “IQ të ulët”.
Sondazhet e fundit tregojnë një garë të ngushtë midis Harris dhe Trump.