A po i jep Pandemia më shumë pushtet Edi Ramës? Si përgjigjet Meta

schedule12:59 - 22 Prill, 2020

schedule 12:59 - 22 Prill, 2020

Me tone të buta dhe të qeta e ka zhvilluar ditën e sotme konferencën Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Ai ka dekretuar ditën e sotme ndryshimet në Kodin Penal.

Në deklaratën e tij Meta tha se vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe Qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga norma penale, është e mire, edhe pse u shpreh se ka disa rezerva në lidhje me të.

“Duhet t’i nënshtrohen një fushate të gjerë informimi publik. Duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t’u përgjigjur kërkesave në nevojë, rritja numrit të testimeve duhet të jetë qëllim i qeverisë. Edhe ndryshimet e tjera që trajton dhunën në familje, shihet me rezervë subjektet e shtuara në dispozitë. Të rritet transparenca”, tha Meta.

Presidenti Meta ka folur sot edhe për nismën e bërë publike nga Kryeministri Edi Rama, për amnistinë fiskale. Në konferencën për shtyp, Meta tha se nuk është koha për të folur tani për amnistinë, pasi është ende vetëm një deklaratë politike dhe nuk ka një relacion shpjegues.

“Nuk mendoj se është momenti për të bërë një vlerësim. Është një inciativë që është bërë publike, por nuk ka një argumentim të qartë. Në një kohë të dytë do mbajmë një qëndrim të qartë dhe shterues për këtë çështje”, tha ai.

Më tej Presidenti Meta iu përgjigj pyetjeve të gazetares së ABC News Erneta Shevroja në lidhje me menaxhimin e situatës nga ana e qeverisë, dhe me aktivitetin që kryejnë fasoneritë, në të cilat ditët e fundit janë kthyer në shqetësim, pasi janë kthyer në vatra infeksioni të koronavirusit.

Pyetje: Lidhur me fasoneritë, ju thatë që duhet bërë distancimi social, dhe të merren masa të tjera nga ana e institucioneve, por a mendoni se është e domosdoshme që këto të mbyllen?

Meta: Nëse nuk garantohen standardet e domosdoshme të mbrojtjes së shëndetit në kushtet aktuale, të cilat duhet të verifikohen nga ekspertët, aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen, dhe punonjësit e sipërmarrjeve të tilla duhet të mbështeten nga ana e qeverisë.

Pyetje: Mënyra si po e menaxhon qeveria a mendoni se po i jep më shumë pushtet Edi Ramës, i referohem këtu edhe ndryshimeve në Kodin Penal?

Meta: Shqetësimi im dhe i juaji është shëndeti i qytetarëve, dhe shëndeti i ekonomisë kombëtare. Nuk besoj se është koha për të keqpërdorur situatën në një krizë të tillë, cilido qoftë, me qëllim për pushtetin. Do ishte tepër e papërgjegjshme, dhe me kosto të madhe për cilindo, që do e keqpërdorte këtë situatë./abcnews.al