A po braktiset Berisha nga Meta? Artur Zheji: Mungesa e tij është ulëritëse, halli i “Foltores” është…

schedule21:12 - 27 Shkurt, 2024

schedule 21:12 - 27 Shkurt, 2024

TIRANË– Gazetari Artur Zheji i bëri një skaner të plotë situatës aktuale në të cilën ndodhet “Foltorja”, e cila liderin e saj e ka të mbyllur në shtëpi dhe po hetohet për dosjen “Partizani”.

Ai the se mbështetësit e Berishës, që mblidhen poshtë ballkonit te “Rrugica e Shpresës” e kuptojnë se kanë nevojë për një riorganizim të ri, por pa sakrifikuar Berishën.

Ky fakt shtoi ai i pengon edhe rrëzon çdo kauzë të tyre për t’u përballur politikisht me mazhorancën.

“Halli i parë i Foltores, është kreu i saj, Ata kanë një dashuri dhe një përkushtim ndaj kreut absolut që ushtron impresion dhe pushtet. Ata e kuptojnë. Ata kanë një ngërç. Ata e kuptojnë që duhet të fillojë një riorganizim i ri, por nuk mund të sakrifikojnë për këtë doktorin. Doktori aq më tepër në arrest shtëpie nuk mund të jetë lideri i një opozitë dhe i foltores, ky është një problem shumë i madh psikologjik”, u shpreh Artur Zheji.

Një tjetër pikë, e cila u analizua në “Real Story” ishte dhe heshtja e Ilir Metës. Sipas Zhejit, mungesa e tij është ulëritëse, dhe në thelb tregon se aleanca e kreut të Partisë së Lirisë me Sali Berishën është në pikën më të dobët.

“Meta është një mungesë shumëshprehëse. Mungesa është kaq ulëritëse, dhe habitshmërisht ka mbetur e panënvizuar. Nuk është debat dhe temë në asnjë emision. Mendoj se mesazhi kryesor, dhe këtu gabon Saliu, nuk është qe Meta do ti thotë Ramës se unë nuk jam me Saliun, por Meta do t’i thotë amerikanëve se unë nuk jam me non grata. Jam në opozitë, me non grata nuk jam, sepse jam pro-amerikan”, shtoi ai.

Ndërsa analisti Skënder Minxhozi gjithashtu u shpreh se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nëpërmjet distancimit nga Berisha, duket se po jep një mesazh në distancë edhe për amerikanët.

“Kur zbriti dhe mori partinë është shumë më pak i përfshirë se sa kur ishte president dhe ka një arsye. Pra jep një mesazh diku, por më kryesorja është raporti me amerikanët dhe mesazhet që mund të jetë duke shkëmbyer në distancë me ta, pra ka një pjesë opozitë që ju e keni listuar në listë të zezë, por ka edhe një pjesë opozitë që do të ketë raporte normale. Ndaj roli i munguar i Metës në opozitën e sotme e bën Metën të shkoj përtej duke synuar të gjejë butësisht atë vend të munguar që ka. Sepse e treguan edhe zgjedhjet e 14 majit ku pati një zbaticë jo të vogël votash”, ka thënë Minxhozi.

Gjithashtu edhe analisti Artur Zheji i qëndron të njëjtit mendim se kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, kërkon një distancim nga Berisha dhe pa krijuar krisje të madhe.

“Meta po jep mesazhe të drejtpërdrejta për amerikanët. Do pa krijuar krisje të madhe, distancim të dukshëm dhe mesazh të qartë për ndërkombëtarët. Emergjencë kryesore ka të shmangi keqkuptimet me amerikanët, që ata të jenë të qartë që ai nuk është me Berishën”, tha Zheji./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!