A mund të rimëkëmbet Turqia nga pasojat e sundimit të Erdogan?

schedule11:11 - 19 Nëntor, 2021

schedule 11:11 - 19 Nëntor, 2021

Nga Michael Rubin “National Interest

Recep Tayyip Erdogan po e qeveris Turqinë prej gati 2 dekadash. Ndërsa ky vend po i afrohet 100-vjetorit të themelimit si republikë, ai është bërë sundimtari i saj më i rëndësishëm që nga koha e Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të Turqisë moderne.

Gjatë dekadës së parë të sundimit të Erdogan, shumë zyrtarë perëndimorë refuzuan që t’i njihnin apo t`i pranonin ndryshimet që po ndodhnin në Turqi nën drejtimin e Erdogan.

Për shembull, të dy presidentët amerikanë George W.Bush dhe Barack Obama, e vlerësuan demokracinë turke edhe shumë kohë pasi ajo pushoi së qeni e tillë. Ndërkohë presidenti Donald Trump nuk e sfidoi Erdoganin në mënyrë të qëndrueshme, si Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo po ashtu edhe udhëheqësit e Kongresit i kërkuan llogari presidentit turk për sjelljet e tij.

Ndërkohë presidenti aktual Joe Biden nuk iu afrua Erdoganit në të njëjtën mënyrë si paraardhësit e tij. Sot, shumica e liderëve politikë në SHBA e pranojnë se Turqia nuk është aleate e tyre. Vetëm disa dhjetëra ligjvënës të kongresit janë anëtarë të Grupit të Miqësisë SHBA-Turqi, ndërsa vetëm një dekadë më parë, në këtë grup bënin pjesë më shumë se 200 kongresmenë.

Qoftë e natyrës transaksionale apo ideologjike, miqësia e Ankarasë me Moskën, nxjerr në pah se sa e pabesueshme mund të jetë Turqia si aleate e NATO-s gjatë çdo lloj krize që mund të shpërthejë në të ardhshmen.

Mbështetja e Erdoganit ndaj Shtetit Islamik dhe Al Kaedës, dhe ri-klasifikimi i kritikëve të tij si terroristë, tregon se Turqia nuk është një aleate në luftën kundër terrorizmit, një realitet ky i nxitur edhe nga vendimi i fundit i Task Forcës së Veprimit të Jashtëm ndërqeveritar, për të vendosur Turqinë në listën gri të vende që pastrojnë para dhe financojnë terrorizmin. As ekspertët më realistë, nuk mund ta përmendin dot vlerën që ka Turqia si një mburojë kundër ambicieve iraniane, pasi ishte pikërisht Turqia, ajo që e informoi Iranin mbi spiunazhin izraelit ndaj programin bërthamor të Iranit.

Turqit e viktimizuar nga Erdogan, turqit me orientim perëndimor, dhe shumë emigrantë turq nëpër botë, theksojnë se Erdogan dhe Turqia nuk janë e njëjta gjë. Ata vënë në dukje mungesën gjithnjë e më të madha të popullaritetit të Erdogan brenda Turqisë. Zhvlerësimi i lirës turke – 80 për qind brenda një dekade – është një dëshmi e keq-menaxhimit financiar nga ana e Erdogan. Ndërsa presidenti turk mburret me projektet e mëdha infrastrukturore, shumë prej tyre duket se janë një përpjekje e hapur për të shpërblyer miqtë me kontrata miliarda dollarëshe.

Edhe turqit më besnikë të Erdogan, po i vënë re efektet gërryese që ka pasur sundimi i tij në vend. “Stambolli nuk është qyteti që ka qenë dikur”- është një ankesë gjithnjë e më e zakonshme në mesin e atyre që ishin dikur të lumtur të injoronin konservatorizmin fetar të Erdoganit, në këmbim të politikave miqësore ndaj biznesit.

Shumë turq ndihen të asfiksuar nga qëndrimet kufizuese dhe tendencat autokratike të Erdogan. Turqit më të arsimuar dhe më kozmopolitë,janë të neveritur nga marrëzia dhe konspiracionizmi i presidentit turk. Situata aktuale ngre 2 pyetje kryesore.

Së pari, nëse një jo-popullaritet i tillë mund të çojë në rënien e tij politike, dhe së dyti, nëse Turqia mund të rikthehet në një kurs më të moderuar laik, siç ishte përpara vitit 2002.

Përgjigja për të dyja këto pyetje është jo. Të supozosh se Erdogan do t’i nënshtrohet vullnetit të qytetarëve është njëmendim i dëshiruar.

Është e vërtetë, që në vitin 2019, një kandidat i opozitës fitoi garën për bashkinë e Stambollit, pavarësisht se Erdogan urdhëroi rivotimin bazuar në disa arsyetime të dobëta. Ndërsa kjo mund të japë shpresë se një kandidat – ndoshta edhe kryebashkiaku i Stambollit Ekrem İmamoğlu – mund ta mposhtë presidentin.

Por ky skenar supozon se leksioni që mësoi Erdogan nga ato zgjedhjeve, është se ai duhet të respektojë votën e lirë. Por në vend të kësaj, historia e Erdoganit sugjeron se ai do të shmangë një skenar të ngjashëm, duke e shtuar represionin përpara ditës së zgjedhjeve, dhe duke manipuluar rezultatin gjatë kohës së numërimit të votave.

Fakti që shumë pak turq dolën të protestonin në rrugë – dhe Partia Popullore Republikane e qendrës së majtë, ku bën pjesë İmamoğlu, mezi e ngriti zërin kur Erdogan arrestoi kreun e Partisë Demokratike Popullore Salettin Demirtaş – vetëm sa e inkurajon Erdoganin.

Po ashtu Turqia ka një histori të zymtë të vrasjeve politike. Paraushtarakët në grupime si “SADAT”, mund të kenë përdorur snajperat për të vrarë qytetarët turq gjatë grushtit të shtetit të vitit 2016. Ky grupim pretendon se po stërvitet për kryerjen e atentateve. Nëse Erdogan do të përballet me një rival karizmatik, atëherë ai mund të vrasë me një gur dy zogj, duke e eleminuar rivalin e tij, ndërsa do të fajësojë ndonjë rival tjetër për vrasjen e të parit, një taktikë që ai e përsosi në rivalitetin e tij me ish-aleatin Fethullah Gylen.

Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, İmamoğlu mund të jetë jo pak i rrezikuar për sigurinë e tij. Disa analistë turq mendojnë se pleqëria dhe problemet shëndetësore mund ta detyrojnë Erdoganin që të tërhiqet në favor të dikujt tjetër, si për shembull Hulusi Akar, ministri aktual i Mbrojtjes.

Nëse Akar humbet zgjedhjet, atëherë Erdogan mund ta fajësojë atë, në mënyrë që të mos njolloset vetë nga stigma e humbjes. Por edhe ky është njëmendim i dëshiruar. Së pari, koncepti se Akar, që e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij duke punuar me Perëndimin, është një liberal i fshehtë është qesharak.

Në rastin më të mirë, Akar është një oportunist, të cilit nuk mund t’i besohet kurrë se do t’u qëndrojë parimeve të veta. Ndërkohë të besosh se ai do të anojë drejt Perëndimit, injoron ndryshimin e rëndësishëm demografik që ka ndodhur në Turqi gjatë dy dekadave të fundit.

Dijarbakir dhe Kazjeri janë përfaqësueset më të mira të Turqisë në vitin 2021, sesa lagjet evropiane të Stambollit, Bursës dhe Bodrumit. Erdogan nuk ka gjasa që t’ia kalojë pushtetin Akar për një arsye tjetër. Si udhëheqës i Turqisë, Erdogan riktheu kohët e shkuara duke burgosur edhe liderët politikë në pension.

Duke pasur parasysh numrin e të burgosurve, të abuzuarve apo të vrarëve nga Erdogan, lëvizja më populiste që mund të ndërmerrte çdo lider i ardhshëm do të ishte arrestimi i Erdogan, dhe kalimi i viteve të tij të pensionit në burgun e Silivrit. Por a mund të rimëkëmbet Turqia nga pasojat e sundimit nga Erdogan?

Shumë nga intelektualët dhe gazetarët e mërguar të Turqisë,u ngjajnë shumë homologëve të tyre iranianë që këmbëngulin se Irani nuk është Republika Islamike, dhe se ndryshimi pozitiv është shumë pranë. Megjithatë, realiteti është se ata që i varin shpresat e tyre mbi reformizmin iranian apo që besojnë se 40 vitet e Republikës Islamike nuk e kanë ndryshuar shoqërinë, po gënjejnë veten.

Turqia nuk është më një shtet i brishtë, në të cilin edhe lëkundja më e vogël mund të shkaktojë një ndryshim thelbësor. Për më shumë se 18 vjet, Erdogan e ka reformuar jo vetëm të gjithë ushtrinë, për të qenë një motor i islamizmit dhe jo një forcë që mbron laicizmin, por ai ka reformuar edhe sistemin shkollor.

Më shumë se 30 milionë turq janë arsimuar nën epokën e Erdogan. Kontrolli i këtij të fundit mbi median e ka përforcuar mbështetjen ndaj tij. Nëse sundimi i Erdogan përfundon nesër,do të duhen dekada që sistemi të de-toksifikohet. Shumë turq të mënjanuar nga Erdogan, e shohin tani periudhën e para vitit 2001 si epokën e artë.

Ata e këshillojnë Uashingtonin që të ketë kujdes për të shmangur djegien e urave të bashkëpunimit me turqit që e konsiderojnë Erdoganin një problem serioz. Kjo është shumë e drejtë. Por ekziston një ndryshim midis pranimit se Erdogan nuk është Turqia, dhe mohimit se ai e ka riformësuar vendin në diçka që nuk do të jetë më kurrë një partnere e Perëndimit si dikur.

Grekët, armenët, arabët, kurdët dhe të tjerët, nuk duan asgjë më shumë se sa që Turqia të jetë një vend normal, në paqe me veten dhe fqinjët e saj. Por për ta arritur këtë do të duhet shumë më tepër sesa dëshira e të mërguarve dhe ish-ambasadorëve. Përkundrazi, nëse Erdogan do të vdiste nesër nga kanceri, Turqia do të përballej ende me një rikthim të gjatë dhe të vështirë drejt normalitetit, që do të matet jo me muaj, por me dekada. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Michael Rubin, është studiues në think-tankun “American Enterprise Institute”, ku ai është i specializuar mbi Iranin, Turqinë dhe Lindjen e Mesme.