Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vendosur që gjatë mandatit të tij qeverisës ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës. Këtë pikë kryeministri i Kosovës e ka përfshirë në programin e vet qeveritar duke thënë, se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.
“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë sonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti pas miratimit të programit të vet qeveritar. Kryeministri Kurti tha se përgatitjet për padi “janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”.
Vuçiç: Padia kërcënim dhe as nuk duhet provuar
Paralajmërimi i qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë nxiti reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se “Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Madje ai i rekomandon Kosovës që mos të provojë ta bëjë një gjë të tillë”, duke e cilësuar edhe si kërcënim. “Po kërcënoni Serbinë me gjyq për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria, e kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, tha Vuҫiq citojnë mediet në Serbi presidentin serb.
Ekspertët: Pa pajtim me SHBA e BE padia do kishte kundërefekt
Njohësit e çështjeve juridike nga ana e tyre shprehen skeptik për nismën e qeverisë së Kosovës për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë, pikërisht duke përmedur faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe formalisht nuk mund ta bëjë këtë. Kështu i tha DW-së Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). “Në aspektin formal, Kosova nuk ka kapacitet për të ushtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë, padi e cila do të konsiderohej e pranueshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Shtetndërtimi i Kosovës është ngushtë i lidhur dhe i varur nga mbështetja dhe ndihma e partnerëve ndërkombëtarë, andaj edhe çdo veprim në këtë drejtim duhet të ketë vëmendjen e tyre, koordinimin dhe bashkëpunimin. Çdo veprim i njëanshëm i Kosovës pa pajtim me SHBA-në dhe BE-në, kam frikë se do të kishte kundërefekt dhe do të vinte Kosovën në një situatë të pafavorshme”, thotë Ehat Miftaraj.
Sipas tij edhe nëse Kosova nëpërmjet Shqipërisë do ta padisë Serbinë për gjenocid, kjo mund të sjellë telashe të tjera. “Në aspektin formal Shqipëria ka të drejtë të ushtroj padi njësoj si çdo shtet anëtar i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por se shtetet e tjera serioze në këtë rast do të hezitonin të ndërmerrnin një hap të tillë duke marrë për bazë lidhjen shumë të afërt dhe vëllazërore që ka Shqipëria me Kosovën”.
Mundësia pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Një njohës tjetër i çështjeve juridike, Afrim Hoti, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se ekziston një mundësi që pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë entitetet e caktuara mund të ngrenë padi, por të cilat paraprakisht obligohen t’iu nënshtrohen rregullave dhe procedurave të caktuara të kësaj gjykate, por gjithnjë ekziston skepticizmi për rezultat pozitiv. “Është një deklaratë që deponohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë përmes së cilës Republika e Kosovës, si shtet që nuk është anëtar i OKB-së, deklaron që e pranon autoritetin e gjykatës dhe i pranon vendimet që jepen nga GJND-ja. Këto janë raste shumë të rralla, që njihen si të tilla që statuti i gjykatës e lejon një mundësi të tillë, sikundër që edhe entitetet që kanë pozicion pak a shumë të ngjashëm si Kosova janë të rralla. Juridikisht, palë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë vetëm shtetet e pavarura dhe të cilat njëkohësisht janë pjesë e OKB-së”, thotë Afrim Hoti.
Kosova mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ngritur padi për gjenocid ndaj Serbisë, por sipas Hotit, “duhet bërë një dallim elementar ndërmjet deklarimeve politike dhe deponimit formal”, që nuk do të thotë që është përmbyllur procesi. “Ai do të mund të konsiderohet si një veprim juridik, mirëpo, për vërtetimin e ekzistimit të krimit, duhet të deponohen edhe shumë fakte të tjera për t’i pranuar gjykata”, shprehet profesori Afrim Hoti.
Shqiptarët në Kosovë e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe të sigurisë gjatë luftës së viteve 1998-1999, ku u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra të tjerë llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në vitin 1999, Kroacia kishte ngritur padi ndaj Serbisë në GJND për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995. Në vitin 2010, Serbia kishte paraqitur një kundër-padi ndaj Kroacisë, duke thënë se rreth 200 mijë serbë etnikë janë zhvendosur, kur Kroacia kishte filluar operacionin ushtarak në kërkim të territoreve të pretenduara prej saj. E në vitin 2015 GJND-ja vendosi që as Serbia e as Kroacia, nuk kanë kryer gjenocid ndaj njëra tjetrës. Ndërkaq, sa i përket rastit të Bosnjes e Hercegovinës, përkatësisht rasti Srebrenica, në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi se vrasjet e rreth 8 mijë muslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid, por kjo Gjykatë u shpreh, se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, por gjithashtu tha, se edhe se nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejt për këtë. Në vitin 2017, Bosnja e Hercegovina kërkoi rishikimin e këtij vedimi por, GJND-ja e hodhi poshtë këtë kërkesë./DW