Komisioni Europian rekomandoi sot që të lehtësohen kufizimet për udhëtimet jo-thelbësore drejt Bashkimit Europian duke trajtuar paralelisht variantet e pandemisë përmes mekanizmit të ri te frenimit emergjent.
Komisioni propozoi të lejojë hyrjen në BE për arsye jo thelbësore jo vetëm për të gjithë personat që vijnë nga vendet me një situatë të mirë epidemiologjike, por edhe për të gjithë njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine të autorizuar nga BE.
Por çfarë ndodh me qytetarët e shteteve, përfshirë edhe Shqipërinë që kanë injektuar vaksinat Sputnik dhe Sinovac që nuk janë certifikuar nga EMA?
Gazetarja e ABC, Erisa Zykaj raportoi nga Brukseli se BE nuk i njeh këto dy vaksina, pra rusen dhe kinezen.
“Personat që janë vaksinuar me vaksinën kineze dhe ruse nuk janë të vlefshme për BE-në. Ka pasur një pyetje që a mund të njihen dhe të udhëtojnë drejt BE-së personat që i kanë marrë këto vaksina, përgjigja ka qenë JO. Këto vaksina nuk njihen, janë të pavlefshme për të udhëtuar drejt BE për momentin” tha Erisa Zykaj.
Por dera nuk është e mbyllur për qytetarët që i kanë injektuar këto doza dhe duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së. “Ata që vijnë të bëjnë testimin 72 orë para se të vijnë dhe ndoshta edhe karantinimin sipas rregullit të shtetit anëtar” sqaroi më tej gazetarja e ABC.
Sot, Komisioni propozoi që Shtetet Anëtare të BE-se te lehtësojnë kufizimet aktuale në udhëtimet jo-thelbësore në BE duke marrë parasysh progresin e fushatave të vaksinimit dhe zhvillimet në situatën epidemiologjike në të gjithë botën./ db/ Abcnews.al