TIRANË- Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u pyet nga gazetarët në lidhje me situatën e tërmeti tragjik në Turqi. Ajo tha se në momentet që flasim në terren janë angazhuar 80 efektivë të Forcave të Armatosura, mes të cilëve mjekë dhe specialistë të kërkimeve në raste fatkeqësish.
“Së pari, më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë fatkeqësi me bilanc tragjik, si për popullin turk dhe atë sirian. Që në orët e para, siç jeni në dijeni, Shqipëria është solidarizuar jo vetëm me qëndrime por me veprime konkrete me popullin turk dhe qeverinë turke për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit të shtrira në 10 provinca. Në momentin që po flasim janë 80 efektivë të FA, të kërkim shpëtimit, mjekë dhe ekspertë të tjera të kërkim shpëtimit të cilët janë angazhuar në zona përmes koordinimit me autoritetet turke. Marr shkas për të falënderuar edhe stafin e diplomatëve tanë në ambasadën shqiptare në Ankara dhe konsullatën në Stamboll për përkushtimin në këto ditë të vështira, si në pritjen dhe koordinim e skuadrës shqiptare apo dhe për komunikimin me ato familje të cilat nuk kanë patur kontakte me të afërmit e tyre në Turqi”, tha ajo.
Ajo theksoi se deri tani nuk ka asnjë person shqiptar që është prekur nga tërmeti, ndërsa rikujtoi numrat e kontaktit për qytetarët që duan të telefonojnë nëse kanë nevojë për ndihmë.
“Deri më tani nuk rezultojnë qytetarë me nënshtetësi shqiptare në radhët e viktimave dhe as raportime për të zhdukur. MEPJ si dhe ambasada dhe konsullata jonë në Stamboll kanë pubikuar numra telefoni dhe adresa email për të gjithë ata që kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre në Turqi gjatë këtyre 72 orëve. Deri në momentin që po flasin janë rreth 10 raste të familjeve këtu në Shqipëri të cilët kishin humbur lidhjet me të afërmit e tyre në Turqi e që falë koordinimit të ambasadës dhe konsullatës tonë në Turqi me autoritetet turke kanë mundur të rilidhen e të mësojnë se ata gëzojnë shëndet të mirë e po asistohen për nevojat që mund të kenë”, u shpreh ajo./abcnews.al