A ka oligarkë në Shqipëri? Granoff: Problem edhe në SHBA

schedule20:48 - 4 Tetor, 2018

schedule 20:48 - 4 Tetor, 2018

Kohët e fundit nga politika shqiptare flitet shumë për oligarkë. Për kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, problemi i përqendrimit të pasurisë dhe pushtetit në një numër të vogël njerëzish është problem edhe në SHBA.

“Dua t’ju them se nuk kam shumë informacione për këtë fushë. Veprimtaria e fondit dhe e fondacionit nuk na jep mundësi për të kontaktuar me persona që përshkruhen në atë mënyrë. Problemi i përqëndrimit të pasurisë dhe pushtetit në një numër të vogël njerëzish është problem në shumë vende të botës. Njerëzit thonë se ky problem është edhe në SHBA ku mendimi që krijohet shpesh është që pasuria nuk fitohet në mënyrën më të ligjshme dhe ky është problemi dhe nuk lidhet me mënyrën si njerëzit i shohin bizneset, por edhe me shoqërinë dhe qeverinë që nuk duhet të jenë në gjendje t’i ofrojnë njerëzve të njëjtat rezultate, por të njëjtat mundësi. Përvoja në Shqipëri, vendet e lindjes dhe në Ballkan ka treguar që ka pasur njerëz që janë pasuruar në mënyra të paligjshme dhe ky është problem për ligjshmërinë e qeverisë”, tha Granoff gjatë emisionit “Mbrëmje Ide” në ABC News.

Sipas Granoff është e rëndësishme që qeveria dhe populli të kuptojnë se Shqipëria është si një kompani nëse mendon për të thithur investime të huaja direkte.

“Besoj që ka rëndësi që qeveria dhe populli  shqiptar të kuptojnë që Shqipëria është si kompani dhe ka konkurrentë. Nëse mendoni për investimet e huaja direkte duhet të mendoni për si kompani në konkurrencë dhe realiteti tregon që asgjë nuk është absolute”, u shpreh ai.

Kryetari i bordit të Fondacionit të Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit shtoi më tej se “sfida e qeverisë shqiptare është të krijojë dhe të strukturojë programe që konkurrojnë me fqinjët e saj dhe me pjesën tjetër të botës për nxitur investimet e huaja direkte”.

I pyetur se si mendon se  po vepron qeveria në lidhje me këtë, Granoff tha se ka akoma shumë punë për të bërë.

“Unë mendoj se ka akoma më shumë për të bërë dhe një pjesë e saj lidhet me mentalitetin në kuptimin që ata nuk e shohin veten si biznes  që mund të konkurrojnë me vendet e tjera në këtë mënyrë. Së pari ata duhet të ndryshojnë mënyrën e të menduarit për këtë”, u shpreh kryetari i bordit të Fondacionit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!