A ka bisedime për “pajtimin” e grupimeve në PD? Këlliçi përgjigjet në ABC News: Çfarë po synojmë

schedule13:46 - 31 Maj, 2023

schedule 13:46 - 31 Maj, 2023

TIRANË- Kandidati i “Foltores” që garoi për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, komentoi situatën në Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të 14 majit. Ai tha se rezultati zgjedhor nuk ishte aspak i mirë, dhe për këtë tentoi të fajësojë Partinë Socialiste, duke e akuzuar atë se është përfshirë në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve përmes vjedhjes së votave.

Ai u pyet nëse opozita po përgatit protesta, por për këtë Këlliçi tha se ka një sugjerim të Berishës, por që ende nuk është vendosur për protesta, pasi aktualisht po punohet sipas tij për dokumentimin e parregullsive në zgjedhje.

“ Nuk di t’ua them në lidhje me protestën. Ka qenë një deklaratë e Berishëss. Nuk ka ende një vendimmarrje nga forumet e PD, por ka qenë një sugjerim i tij. Do ketë apo jo protesta në raport me rezultatin zgjedhor, do duhet t’i faktojmë. Jemi fokusuar 100% tek problematikat. Në momentin që kemi një dosje të plotë, do t’i bëhet me dije të gjithë qytetarëve”, tha ai.

Ai u shpreh se demokratët duhet të bashkohen jo thjesht mekanikisht, por mbi bazën e një fryme për të rrëzuar qeverinë Rama.

“Çdo demokrat është i rëndësishëm, s’ka rëndësi çfarë posti ka, por duhet të gjendet gjuthë përbashkuese, një bashkëpunim jo thjesht mekanik, jo aritmetik, por krijimi i një frymë të përbashkët për sa kohë ne biem dakord që zgjedhjet në Shkodër i ka vjedhur Edi Rama, nuk ka faj Sali Berisha. Mund të jetë një person i caktuar që mendon ndryshe, por për sa kohë biem dakord që ne kemi një kundërshtar politik që quhet Edi Rama, dhe jo Sali Berisha. Atëherë biem dakord që jemi në të njëjtin drejtim”, tha ai.

Gjatë intervistës në ABC News, Këlliçi u pyet nëse ka përpjekje për bisedime me grupeve brenda Partisë Demokratike, ndërsa u shpreh si vijon:

“Ka bisedime, kam takuar kolegë, miq, dashamirës, demokratë që nuk e kanë gjetur veten tek kolicioni Bashkë Fitojmë. Jemi ulur dhe kemi diskutuar  për një qëllim të përbashkët që ne të fitojmë zgjedhjet e 2025. Patjetër që ka diskutime, nuk ka negociata. Nuk ka mandatim, qoftë të një pale apo një tjetër për të bërë diskutime, por ka diskutime krejt normale mes kolegësh dhe ish-kolegësh. Uroj që secili që kërkon fitoren në zgjedhjet e 2025, koha është në disfavorin tonë dhe që do duhet të kapin mundësinë për t’u bashkuar dhe për të mundur Edi Ramën, nëse duan të vijnë në pushtet. Nëse dikush kërkon të marrë peng një vulë për të qëndruar në opozitë, atëherë kjo është jashtë ekuacionit”, tha ai./n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!