Nga Anna Akage “World Crunch”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Kundërofensiva befasuese e Forcave të Armatosura të Ukrainës ndaj forcave pushtuese ruse po vazhdon, teksa lajmet vjetërohen shumë shpejt për shkak të zhvillimeve të vrullshme në terren. Përparimi drejt linjave ruse po vijon me një ritëm të paprecedentë që nga fillimi i luftës.
Që nga fillimi i këtij muaji, ushtria ukrainase ka çliruar më shumë se 7700 km2 katrorë territor në rajonin verilindor Kharkiv. Ndërkohë në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin nuk do që ta pranojë realitetin, edhe pse trupat e tij po mposhten dhe tërhiqen në masë, ndërsa gjeneralët e tij janë të kapluar nga paniku.
Putin e kaloi fundjavën e kaluar duke kryesuar hapjen madhështore të një rrote të re Ferris në Moskë, ndërsa zëdhënësi i tij për mediat publikoi një deklaratë duke thënë se gjithçka po shkon sipas planit. Por në dritën e ngjarjeve në terren në Ukrainë, dhe atmosferës aktuale brenda Kremlinit, në plan të parë del një pyetje e vazhdueshme: A duhet që të nisë Kievi sulme brenda Rusisë ?
Pra a është koha për të nisur një lloj kundër-pushtimi për të rrezikuar pushtetin e Putinit? Ndër arritjet më të rëndësishme të orëve të fundit, është se trupat ukrainase kanë arritur shumë shpejt në kufirin me Rusinë, vetëm 32 km larg nga qyteti rus Belgorod, raporton abcnews.al.
Situata aktuale i lë udhëheqjes së Ukrainës disa opsione se çfarë duhet të bëjë më pas. Zgjedhja e parë dhe më e dukshme do të ishte drejtimi i një ofensive të mëtejshme brenda Ukrainës, duke u zhvendosur në jug për të çliruar Kherson, një qytet prej 290.000 banorësh, të cilin Rusia e pushtoi në javët e para të luftës.
Por tashmë që Kievi ka rifituar një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe e ka përmirësuar kapacitetin goditës, në tryezë është edhe çështja nëse do të kalohet dhe si do të kalohet kufiri me Rusinë.
Ukraina ka në dispozicion të saj raketa me rreze të gjatë veprimi HIMARS të dërguara nga SHBA, të cilat tani mund të arrijnë një sërë objektesh strategjike ushtarake, magazina dhe hekurudha në territorin rus, të cilat janë përdorur për të furnizuar ushtrinë e Moskës në rajonin e Luhanskut.
Një nga pengesat kryesore për sulme të tilla, është fakti se Ukraina i premtoi SHBA-së që të mos godiste me raketa territorin rus. Natyrisht, Rusia nuk i ka bërë asnjë premtim askujt, dhe bombardon çdo ditë qytetet e Ukrainës nga bazat e saj. Kufiri ukrainas nuk ka asnjë domethënie për Rusinë.
Por si do të reagojnë udhëheqësit botërorë nëse ushtria ukrainase kalon në territorin rus? Pra çfarë do të ndodhte nëse raketat ukrainase godasin bazat ushtarake në Belgorod dhe qytete të tjera? Michael Nucky, një gazetar i pavarur rus, beson se kufiri midis dy vendeve nuk është më diçka “e shenjtë”.
Nga brenda Belgorodit, qyteti rus me 370.000 banorë, kanë mbërritur raporte për ekzistencën e panikut midis banorëve dhe për evakuime tek një numër institucionesh arsimore, stacione treni dhe qendra biznesi. Portali rus “Verstk” citon një banor të Belgorodit të shprehet: “Njerëzit e zakonshëm duan të dinë të paktën veprimet e përafërta që priten të ndodhin. Pra nëse do të ketë një sulm mbi qytetin tonë. Nëse bie sirena e alarmit, a duhet që të vrapoj të strehohem në bodrum?”.
Një banor tjetër i këtij qyteti kujtoi se në fillim të luftës Moska u mburr se nëse “do të ketë qoftë edhe një të shtënë në territorin rus, do të merren masa”. “Shumë njerëzit shkruanin në internet se nuk do të na ndodhte asgjë e keqe!…Zgjohuni o njerëz! Kjo është Lufta e Tretë Botërore. Është koha për të mobilizuar njerëzit në të gjitha zonat kufitare”- theksoi ai, raporton abcnews.al.
Ndërkohë ekspertët e Ekipit të Inteligjencës së Konflikteve (CIT), një projekt i pavarur që e ka origjinën në Rusi, por që tani e ka zhvendosur selinë në Evropë, parashikojnë se objektivi i ardhshëm i ushtrisë ukrainase do të jetë çlirimi i Kherson, në vend se të synojë të godasë brenda Rusisë.
Por ata kanë një paralajmërim. “Nëse nuk po flasim për raketat HIMARS, por për një pushtim të drejtpërdrejtë të territorit rus, atëherë Ukraina nuk ka nevojë tani për këtë.
Pasi kanë shumë territore të tjera për të çliruar”- thotë Ruslan Leviev, një nga ekspertët e CIT.
“Por nëse Ukraina do të lejohet nga aleatët ta godasë Rusinë me armë super të sakta, kjo gjë do të ndodhë. Sepse në fund të fundit, lufta mund të fitohet vetëm në fushën e betejës”- shton ai. Sigurisht, gjatë historisë së saj të gjatë dhe të ndërlikuar, Ukraina nuk ka kërkuar kurrë të pushtojë territore të huaja.
Zakonisht është marrë me mbrojtjen kundër pushtuesve të huaj. Por tani dinamika është e ndryshme, dhe ukrainasit janë gjithnjë e më shumë të bindur se për të jetuar në paqe dhe qetësi, do të duhet të mposhtin dhe neutralizojnë fqinjin e tyre verior, duke e detyruar që të zhvishet nga ambiciet e tij për të qenë një superfuqi.
Kështu humbja e Rusisë nënkupton jo vetëm çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara aktualisht, por edhe privimin e Rusisë nga çdo mundësi për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës në të ardhmen. Dhe kjo do të thotë të vendosësh nën shënjestër Putinin, që e ka bërë të qartë si me marrëveshjet e rreme të paqes, por edhe me retorikën e tij se çfarë mendon për të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si një shtet i pavarur.
Shprehja që kanë nisur të përdorin ukrainasit kur flasin për qëllimin përfundimtar të luftës është “Ndiqi rusët deri në Kremlin!”. Kjo sigurisht nuk do të nënkuptonte një pushtim të mirëfilltë deri nëpër rrugët e Moskës, raporton abcnews.al.
Përkundrazi, synimi është që Rusia të zhytet në një krizë kaq të rëndë të besimi, saqë ambiciet e udhëheqsve të saj të jenë shuar njëherë e mirë. Dhe kjo gjë mund të nxitet fare mirë nga kalimi i trupave dhe raketave ukrainase në territorin rus. Mund të jetë thjesht çështje kohe.
/abcnews.al