A janë toksike mbetjet e “Kurum”? Ilir Bejtja: Biznesi është metalurgji e zezë. Klima në Elbasan nuk ndikohet aktualisht nga proceset që ka kompania!

schedule20:10 - 12 Shtator, 2024

schedule 20:10 - 12 Shtator, 2024

TIRANË- Çështja “Kurum” u diskutua këtë të enjte në emisionin “Real Story”, në ABC News.

Ish-zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Ilir Bejtja gjatë intervistës në studio tha se biznesi i “Kurum” nuk ka procese kimike.

Ai shtoi se situata aktuale në Elbasan ka ndryshuar dhe se niveli i ndotjes nuk krahasohet me të kaluarën.

“Biznesi i “Kurum” është biznes metalurgji e zezë, prodhim i çelikut për ndërtim. Pra nuk ka procese kimike. Skorje dhe nënprodukte janë prodhuar që nga dita e parë, pra mbetje metalurgjike. Në momentin që Kurum ka privatizuar një pjesë të rëndësishme të kombinatit metalurgjik, ka qenë një mal i stërmadh skorjesh që me kalimin e kohës janë eksportuar. Disa në biznese të ndryshme private, disa janë përpunuar përsëri brenda vendit. Dhe së fundmi procesi metalurgjik i shkrirjes me induksion, tashmë prodhon mbetje metalurgjike që për shkak të ngopjes së madhe me oksigjen, nëpërmjet oxhaqeve dilte në mjedis. Nga presioni i ushtruar nga organe dhe agjenci qeveritare nga ministria dikur e Industrisë dhe Energjisë, nga agjencia e mjedisit, janë vendosur filtra që janë elektromagnetikë që jo vetëm i ulin shpejtësinë këtij tymit, por edhe i thithin atë, pra gjatë procesit të shkrirjes bie në formën e pluhurit poshtë. Dikur binte mbi Elbasan, dikur gjysma e Elbasanit ishte e pajetueshme, tani nuk e kemi më problem. Unë jetoj në Elbasan dhe vazhdoj të jetoj, ndotja kryesore ka pas ardhur nga djegia e plehrave në fushën e plehrave dhe një tjetër ndotje na vjen nga rëndimi i transportit brenda qytetit dhe rrethinat e tij. Të mos harrojmë që gjurma ekologjike është më e lartë dhe trafiku është shtuar jashtë mase dhe kjo ka rritur edhe përqindjen e ndotjes. Nëse ne kemi pasur ndotje kancerogjene derisa metalurgjia ishte plotësisht në funksion, në momentin që flasim ndotja është mekanike dhe jo kimike dhe nuk krahasohet me atë ndotje që ka pasur. Të ndikohet sot klima e qytetit në mënyrë shumë të rëndësishme nga proceset që ka “Kurum”, unë këtë nuk e besoj. Një ndotës shumë i madh ka qenë fabrika e çimentos që nuk punon më”, tha ai.

/abcnews.al/