A janë të ndryshëm bebet me IVF?

schedule10:13 - 4 Gusht, 2021

schedule 10:13 - 4 Gusht, 2021

Nga Dr.Elton Peçi

Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta që më drejtojnë pacientët gjatë konsultave për infertilitet. Që të ketë paragjykime dhe keqkuptime lidhur me Fertilizimin In Vitro kjo është më se normale.

Një nga paragjykimet që takohet shpesh edhe në ata që lexojnë më shumë është se “bebat me IVF janë më pak normalë përderisa ata janë të konceptuar në mënyrë artificiale”.

Disa madje shkojnë deri aty sa të mendojnë ose të shprehen se bebat edhe mund të prodhohen sipas kërkesave të ndryshme në laborator.

Ata që paragjykojnë procedurën e Fertilizimin In Vitro, mundohen të shpjegojnë paragjykimet e tyre me shprehjen se bebat me IVF nuk janë rjedhojë e një procesi natyral sic është kontakti seksual dhe përderisa teknikat laboratorike dhe / ose manipulimet medikale janë të nevojshme gjatë Fertilizimit In Vitro, bebat që lindin nga kjo teknikë nuk mund të jenë po aq normalë sa edhe ata të lindur në mënyrë natyrale.

Të gjitha këto paragjykime janë të pavërteta dhe totalisht non sens! Zakonisht kemi të bëjmë me një pjesë konservatore dhe jo shumë të lexuar të shoqërisë që ndajnë këto paragjykime.

Por e vërteta është totalisht ndryshe. Bebat me IVF janë po aq normalë sa edhe bebat e tjerë qoftë për sa i përket zhvillimit fizik por edhe atij mendor. Ata lindin njësoj si edhe bebat e konceptuar në mënyrë natyrale.

Është e vërtëtë se në Fertilizim In Vitro, gjinekologu specialist në mjeksinë riprodhuese transferon embrionin përmes një kateteri në brendësi të uterusit (mitrës) së femrës, por procesi i “implantimit dhe zhvillimit të embrionit është po aq normal sa edhe në rastet kur ndodh si pasojë e kontaktit seksual. Të gjithë duhet të kuptojnë se akronimi ART që përdoret për IVF do të thotë Teknikat e Riprodhimit të Asistuar (Assisted Reproductive Technology), dhe jo Teknikat e Riprodhimit Artificial (Artificial Reproductive Technology).

E vetmja diferencë midis IVF dhe fertilizimit natyral është se në rastin e IVF, spermatozoidet dhe ovocitet (vezët) fertilizohen në laborator nën vëzhgimin e embriologëve, pra, bashkimi i tyre ndodh në epruvetat laboratorike dhe jo në tubat e Fallopit sic ndodh në fertilizimin natyral. Fertilizimi In Vitro nuk bën gjë tjetër vetëm se bashkon spermatozoidet me vezët të cilat për arsye të ndryshme nuk mund të takohen në mënyrë spontane (qoftë për shkak të problemeve me numrin apo cilësinë e spermatozoideve dhe / ose të vezëve, të bllokimit të tubave të Fallopit dhe për shumë arsye të tjera.

Të gjitha këto janë arsye që vështirësojnë ose pamundësojnë arritjen e një fëmije përmes kontaktit seksual, ndaj edhe Fertilizimi In Vitro duhet të konsiderohet si një alternativë e kontaktit seksual.

Prej vitesh janë të shumta studimet që tregojnë se nuk ka asnjë ndryshim midis bebave të konceptuar përmes kontaktit seksual dhe atyre të konceptuar përmes Fertilizimit In Vitro, ndaj nuk ka motiv përse të jeni të shqetësuar për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve që vijnë në jetë përmes Fertilizimit In Vitro.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!