A janë rusët kolektivisht fajtorë për krimet e regjimit?

schedule21:44 - 2 Shtator, 2022

schedule 21:44 - 2 Shtator, 2022

Nga Alexander J.Motyl “The Hill

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Diskutimet e fundit mbi vendosjen e kufizimeve të udhëtimit për të gjithë rusët, kanë  prodhuar një debat rreth moralit të një hapi të tillë. A është e drejtë që kundërshtarët e presidentit rus Vladimir Putin të futen në një thes me mbështetësit e këtij të fundit? A nuk është i padrejtë një ndalim i plotë i hyrjes së rusëve në BE?

Përgjigja është se kjo varet nëse rusët ndajnë apo jo kolektivisht disa tipare, që do të kërkonin një masë të tillë ndëshkuese. Natyrisht, kjo nuk mund të jetë thjesht fakti i të qenit rus, i të folurit rusisht apo të jetuarit në Rusi. Tipari i vetëm që mund të justifikojë përçmimin kolektiv do të duhej të ishte sjellja.

Nëse të gjithë rusët do të vepronin në një mënyrë që mundësonte, promovonte ose shkaktonte drejtpërdrejt krimet e regjimit të Putinit, atëherë të gjithë rusët do të ishin fajtorë ose përgjegjës kolektivisht për ato krime. Sergey Radchenko, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Univeritetit Xhon Hopkins në SHBA, ka argumentuar se rusët nuk janë kolektivisht përgjegjës për asnjë krim.

“Ka shumë rusë që e mbështesin për turpin e tyre agresionin e tmerrshëm të Putinit në Ukrainë, drejtpërdrejt duke u angazhuar në front dhe në mënyrë të tërthortë, duke refuzuar ta dënojnë aktin e shtetit të tyre, apo duke u shprehur se lufta nuk është shqetësimi i tyre. Unë do t’i gjykoj ata individualisht, dhe do ta lë edhe veten të gjykohem gjithashtu, por vetëm në masën që ata dhe unë të jemi personalisht përgjegjës për krime specifike”- shprehet ai.

Për më tepër ai këmbëngul se përgjegjësia ose faji kolektiv është një koncept totalitar (kini parasysh Aleksandrin e Madh që dikur rrafshoi dhjetëra qytete), duke anashkaluar kështu faktin e papërshtatshëm që psikanalisti zviceran Carl Jung, teologu gjerman Martin Niemöller dhe filozofi gjerman Karl Jaspers, që të gjithë folën për fajësinë kolektive të gjermanëve për krimet naziste.

Ata mund të kenë gabuar duke e bërë këtë gjë, por kredencialet e tyre antinaziste dhe anti-totalitare janë të padyshimta. Në fakt, ndërsa koncepti i fajit kolektiv nuk pranohet më nga shumica e gjermanëve, ata e pranojnë se ndajnë një përgjegjësi kolektive për krimet e Adolf Hitlerit.

Siç deklaroi së fundmi një politikan i njohur gjerman: “Përgjegjësia jonë kolektive mbetet. Ajo shtrihet tek brezat e ardhshëm dhe tek gjermanët, por edhe familjet e të cilëve erdhën në Gjermani pas nacionalsocializmit”. Pra, nëse gjermanët do të mund të ishin ndjerë kolektivisht fajtorë, apo ndihen ende kolektivisht përgjegjës për krimet e Hitlerit, po kështu mund të jenë edhe rusët.

Ata mund të kenë marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e ukrainasve të pafajshëm (ose gjeorgjianëve, çeçenëve apo tatarëve të Krimesë…) ose mund të kenë mbështetur vrasjen e këtyre njerëzve. Mbështetja mund të shprehet publikisht, si në marrjen pjesë në demonstratat pro regjimit, votimin për Putinin apo shkrimin e simbolit “Z” në ndonjë mur.

Ose mund të shprehet privatisht, si me ndjenjën e kënaqësisë që Krimea është sërish “e jona”, duke lavdëruar Putinin që e ka bërë Rusinë të madhe, apo duke mos shprehur zemërimin për krimet e regjimit. Ky veprim i fundit – ose më saktë mungesa e tij – është një element i rëndësishëm.

Dikush mund të bëhet bashkëpunëtor në një krim duke e kryer atë, duke e mbështetur ose duke mos e dënuar atë. Kryerja e krimeve dënohet me ligj. Mbështetja ose mos dënimi i tyre nuk është i paligjshëm, por është imoral.

Natyrisht, fakti që rusët mund të jenë moralisht bashkëpunëtorë në krime, nuk përkthehet ende në faj kolektiv ose përgjegjësi kolektive. Numrat kanë rëndësinë e tyre, ashtu si modelet e qëndrueshme të sjelljes. Gjermanët e mbështetën në masë të madhe regjimin e Hitlerit,

dhe po në shumicë nuk arritën të dënonin veprimet e tij midis vitit 1933, kur Hitleri u ngjit në pushtet, dhe vitit 1945, kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore dhe u shemb regjimi nazist. Sigurisht, aparati represiv nazist ishte efikas dhe i tmerrshëm. Megjithëse mundësia reale për t’u arrestuar për ndonjë protestë të vogël, ndikonte shumë mbi atë që mund të bënin ose jo gjermanët nën regjimin e Hitlerit, ne ende i konsiderojmë ata si “amoralë” kolektivisht.

Putin dhe regjimi i tij kriminal kanë gëzuar nivele mbështetjeje shumë të mira në Rusi gjatë 2 dekadave të fundit. Popullariteti i tij shpesh i është afruar 90 përqindëshit, dhe mbetet zakonisht në intervalin 60-80 për qind. Rusët e brohoritën kur ai shkeli ligjin ndërkombëtar, pushtoi Donbasin dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Lufta kundër Ukrainës provokoi në fillim disa protesta dhe një largim masiv të rusëve nga Rusia, por popullariteti i Putinit mbetet jashtëzakonisht i lartë edhe pse mijëra rusë po humbasin jetën në Ukrainë. Shumë rusë i mbështesin hapur plaçkitjet, vrasjet, përdhunimet dhe tek e fundit gjenocidin në Ukrainë.

Nëse 100 për qind e të gjithë rusëve duhet të jenë fajtorë për ndonjë veprim, në mënyrë që faji apo përgjegjësia e tyre të konsiderohet kolektive, atëherë rusët nuk mund të jenë kolektivisht fajtorë ose përgjegjës. Por as gjermanët nuk janë të tillë. Nëse e lehtësojmë pretendimin dhe zëvendësojmë “një shumicë dërrmuese” me termin 100 për qind, atëherë faji ose përgjegjësia kolektive bëhet e besueshme.

Atëherë, çfarë duhet të bëjnë rusët? Një ushtar i guximshëm rus, Pavel Filatyev, që kohët e fundit botoi një kritikë të ashpër mbi luftën dhe regjimin, e ka një përgjigje. Ai është kundër kërkimit të faljes ndaj ukrainasve. “Dikush kërkon ndjesë kur shkel këmbën e dikujt. Për momentin, të thuash “Më fal” është e pamjaftueshme”- thotë ai.

Çfarë do të mjaftonte? Për këtë do të duhet të vendosin komuniteti ndërkombëtar dhe Gjykata e Hagës. Ndërkohë, rusët mund të ndihmojnë kauzën e tyre, duke shprehur turpin dhe zemërimin kolektiv për sjelljen gjenocidale të regjimit të Putinit.

Si turpi po ashtu edhe zemërimi nuk sjellin asnjë rrezik, dhe mund të shprehen lehtësisht nga një shumicë dërrmuese. Ato nuk do t’i japin fund regjimit të Vladimir Putinit, por do të ishin një fillim drejt rigjenerimit moral të Rusisë.

Shënim:Alexander J.Motyl, profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers-Newark. Ekspert mbi Ukrainën, Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik dhe mbi nacionalizmin, revolucionet dhe perandoritë.