A i lejon e drejta ndërkombëtare shpërthimet në Liban?

schedule12:37 - 22 Shtator, 2024

schedule 12:37 - 22 Shtator, 2024

Pak është vërtet e faktuar pas shpërthimeve të pagerëve dhe Walkie-Talkiet në Liban këtë javë. Ajo që është e qartë deri më tani është se të paktën 37 persona janë vrarë dhe mbi 3000 janë plagosur dhe se lufta mes Izraelit dhe milicive në Liban po përshkallëzohet sërish.

Pagerët janë transmentues që përdorin luftëtarët e Hezbollahut islamik. Hezbollahu është i klasifikuar si organizatë terroriste nga BE, SHBA dhe vende të tjera. Organizata përdor telekomanda dhe pager sepse ndryshe nga telefonat celularë, ato nuk mund të gjurmohen. Në Tajvan, zyra e prokurorit publik lokal ka hapur një hetim kundër prodhuesit të pajisjeve të tilla.

New York Times raportoi më parë se shërbimi sekret izraelit kishte instaluar eksplozivë në dërgesat që kompania bënte për Hezbollahun.

Radiomarrëset si armë në një luftë? Si mund të vlerësohet kjo lloj lufte sipas ligjit ndërkombëtar? Qeveria izraelite nuk ka komentuar ende shpërthimet dhe as nuk i ka pranuar sulmet. Raportimet janë të paqarta dhe konfuze, si psh. ai që thuhet se një kompani në Bullgari është përfshirë edhe në prodhimin e radiomarrëseve që më pas shpërthyen në Liban.

Helmut Aust është ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Lirë të Berlinit. Në një intervistë për DW, ai e bën të qartë se sa e vështirë është të vlerësohen ngjarjet e fundit nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare: “Në të drejtën ndërkombëtare, së pari duhet të përcaktoni se çfarë lloj konflikti është ky?

A është ky një konflikt ndërkombëtar apo një konflikt i armatosur jo ndërkombëtar? Pavarësisht karakterit ndërkufitar, kjo nuk është plotësisht e qartë sepse konflikti i armatosur ndërkombëtar është në të vërtetë midis forcave të armatosura të dy shteteve.” Për këtë është e vështirë të flitet në konfliktin e Lindjes së Mesme. Sidoqoftë Hezbollahu nuk është forca e armatosur e Libanit. ”

Një gjë është e qartë: Izraeli u shpreh se ka të drejtën e vetëmbrojtjes që nga 7 tetori i vitit të kaluar. Në atë kohë, grupi terrorist islamik Hamas filloi një sulm masiv kundër Izraelit nga Rripi i Gazës. Por a vlen kjo e drejtë për vetëmbrojtje edhe për sulmet e supozuara ndaj Hezbollahut në Liban, i cili mbështetet nga Irani? Helmut Aust shprehet se “e drejta e vetëmbrojtjes në të drejtën ndërkombëtare presupozon që të mbrohesh kundër një sulmi të armatosur, i cili ende vijon. Sigurisht që ka raketa të Hezbollahut në territorin izraelit. Por ka pasur edhe operacione ushtarake izraelite në Liban prej një kohe të gjatë. Është e vështirë në përgjithësi të gjesh pikënisjen e konfliktit aktual. Në mjegullën e luftës, shumë gjëra mbeten të paqarta.”

Por sidoqoftë, thekson studiuesi, ligji ndërkombëtar humanitar ndalon të ashtuquajturat “sulme pa dallim”. Sipas Aust, kur “ato konsistojnë në zgjedhjen e metodave ose mjeteve luftarake që nuk drejtohen kundër një objektivi ushtarak. Ose efekti i të cilave nuk mund të kufizohet. Sulmet janë të ndaluara edhe kur pritet që të ketë humbje dhe plagosje në mesin e civilëve e kur nuk janë në asnjë proporcion me avantazhin e pritur ushtarak”.

Ky mund të jetë rasti në shpërthimin e pagerëve dhe radiomarrëseve. Ka pasur raportime, për shembull, se nga shpërthimet janë dëmtuar edhe fëmijë. Megjithatë eksperti për të drejtën ndërkombëtare i Bonnit, Stefan Talmon beson se një parim i tjetër rëndësishëm i së drejtës ndërkombëtare është se sulmet ushtarake duhet të drejtohen edhe kundër bashkëluftëtarëve. Dhe sa më saktë që të jetë e mundur.

Talmon tha për “Süddeutsche Zeitung”: “Luftëtarët e Hezbollahut në thelb mbeten objektiva legjitime ushtarake edhe jashtë fushës së betejës, edhe nëse tërhiqen në kazermat e tyre ose në strehimin e tyre. Edhe nëse nuk janë në front, por janë të zënë me plane jashtë frontit, Izraeli lejohet t’i sulmojë ata.”

Eksperti, Marco Sassoli nga Universiteti i Gjenevës e sheh këtë në mënyrë të ngjashme. Ai i tha radios zvicerane, SRF: “Nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare humanitare, pyetja kryesore është nëse të vrarët ishin objektiva legjitime. Këta do duhej të ishin ose luftëtarë në një konflikt të armatosur ose një grup i armatosur. Kushdo që ka një rol të përhershëm luftarak mund të sulmohet. Dhe unë besoj se Izraeli mund të pretendojë se është në konflikt të armatosur me Hezbollahun.”

Por eksperti Helmut Aust nga Berlini përmend edhe një dispozitë të së drejtës ndërkombëtare që gjithashtu luan një rol në vlerësimin e sulmeve: “Ka rregulla të veçanta në të drejtën ndërkombëtare pikërisht për armë të tilla. Kjo rezulton nga Protokolli 2 i Konventës së OKB-së për Armët i vitit 1996. Edhe Izraeli duheta ta respektojë këtë protokoll. Protokolli përmban gjithashtu një dispozitë që ndalon përdorimin e grackave eksplozive të përbëra nga objekte të lëvizshme në dukje të padëmshme por të projektuara dhe të ndërtuara posaçërisht për të mbajtur eksploziv.

Aust është i bindur, se nuk mendohet që Izraeli, Hamasi ose Hezbollahu do të përmbahen nga përdorimi i formave gjithnjë e më drastike të luftës, sepse po paralajmërohen nga shkelja e ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, studiuesi këmbëngul në rëndësinë e rregulloreve ndërkombëtare, edhe nëse ato shpërfillen në mënyrë të përsëritur në shumë raste konkrete: “Nuk duhet të presësh fuqi magjike nga e drejta ndërkombëtare.

Përcaktimi i veprimeve të Izraelit si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare sigurisht që nuk do të çojë në atë që qeveria ndryshon qëndrimin, por respektimi i standardeve ligjore mbetet një vlerë më vete. Nëse kjo do të hiqej plotësisht, do të kishte edhe më pak mundësi për të pasur një kriter relativisht objektiv për veprime shtetërore në luftë.”

Për shembull, thotë Aust, partnerët ndërkombëtarë mund të bëjnë vazhdimisht presion mbi palët ndërluftuese për të moderuar veprimet e tyre duke iu referuar ligjit ndërkombëtar./dw

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!