Të ndahet Tirana nga Shkupi? Ish-presidenti kroat në “ABC”: Formula e suksesit, Ballkani dhe Bosnja

schedule23:21 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 23:21 - 14 Dhjetor, 2021

Ish-presidenti kroat nga 2010-15, Ivo Josipoviç ndodhet në Shqipëri pasi u nderua nga një universitet privat me titullin “Doctor Honoris Causa”. Mbrëmjen e sotme ai ishte i ftuar në “Log.” në “ABC” ku foli për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së dhe situatën në Ballkan. Në kushtet kur Bullgaria ka vendosur veton për Maqedoninë duke bllokuar edhe Shqipërinë, Josipoviç solli shembullin e Kroacisë që vendosi që të ecte e vetme dhe rezultoi lëvizje e suksesshme.

Fillimisht do të doja të shprehja mbështetjen time për Maqedoninë e meritojnë të pranohen për negociatat, shpresoj që bullgarët dhe maqedonasit do të gjejnë një kompromis, pasi Shkupi ka bërë gjithçka për të përmbushur kërkesat e vendeve anëtare. Bullgaria duhet të jetë e drejtë. Për çështjen tuaj, kjo varet nga ju për të zgjedhur njërën apo tjetrën.

Kemi një situatë të ngjashme, pasi disa vende në BE prisnin që ne duhet të prisnim edhe vendet e tjera të rajonit, si Bosnjën dhe Serbinë, ne ndoqëm një trajtim të pavarur dhe ishim të suksesshëm. Të prisnim të tjerët nuk do të ishte mirë.

Por asnjëherë nuk i dihet nëse Maqedonia do të jetë më e shpejtë, apo jo, apo do të ecni paralelisht. Janë organet tuaja që do të marrin vendimet. Ne do të vazhdojmë të mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE.

Një nga ekspertët tanë është i angazhuar me sistemin tuaj të drejtësisë, zoti Harvatin, që ka qenë kryetar i Gjykatës së Lartë” tha ai.

Por sa të rëndësishme janë arrestimet e bujshme brenda vendit për t’u bërë pjesë e BE-së, teksa Kroacia pak vite më parë çoi pas hekurave ish-kryeministrin Ivo Sanader. “Rasti i kryeministrit Sanader, çështja nuk ishte e motivuar nga BE” tha ai.

Për nismën e Ballkanit të Hapur, Ivo Josipoviç u shpreh se e kupton frikën përballë Serbisë dhe situatën e Kosovës. “E kuptoj këtë lëvizje për të qenë bashkë. Ne e dimë që disa vende nuk janë të angazhuara për arsye të ndryshme, Kosova ka frikë nga dominimi i Serbisë, në Bosnje nuk dakordësohen për asgjë për një rast të tillë dhe vendi i tretë është i frikësuar nga diçka tjetër.

Është një vendim autonom i pavarur. Është mirë që të fillohet bashkëpunimi, por cdo vend ka arsyet e veta. Serbia nuk duhet pasur frikë. Është një vend i fortë, por edhe në BE do të përballeni me vende të forta që kanë interesat e tyre. Askush nuk duhet të jetë i frikësuar, por e kuptoj situatën e Kosovës. Duhet të zgjidhë disa çështje dhe të jetë e kujdesshme”.

Por a është procesi i Berlinit diçka më e mirë se Ballkani i Hapur, pasi janë të gjithë bashkë? “Sigurisht që BE do të donte të kishte një situatë që të gjitha vendet të ishin në kuadrin e BE-së, por problemi është që vendet nuk mund të gjejnë një dakordësim brenda në vetvete, shembulli është Serbia dhe Kosova, Maqedonia dhe Bullgaria dhe çështja e Bosnjës. I gjithë projekti që përpiqet për të pasur më shumë unifikim është i mikpritur”.

Rreziku i shpërthimit në Bosnje ka shqetësuar SHBA-në dhe BE-në, por si e parashikon Ivo Josipoviç?

Fatkeqësisht ata kanë probleme shumë serioze sepse vendi është i ndarë mes ideve separatise, nuk është shumë e lehtë për t’u menaxhuar situata. E ardhmja e Republikës Srpska shikohet jashtë Bosnjës dhe kjo shikohet si problem”.

Një koment Ivo Josipoviç e kishte edhe për raportet mes SHBA-së dhe kontinentit të vjetër. “Europa nuk duhet të jetë e varur nga askush, por bashkëpunimi ynë me SHBA duhet të qëndrojë, por duke mbajtur në konsideratë pozicionin tonë shumë unik, si Europë e bashkuar” përfundoi ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!