A duhet rritur çmimi i energjisë? Flet eksperti i ekonomisë

schedule19:29 - 18 Prill, 2022

schedule 19:29 - 18 Prill, 2022

Eksperti i ekonomisë, Enton Duro i ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ka folur për krizën energjetike në vend.

I pyetur nga moderatorja Xhokaxhi nëse pagesa prej 94 mijë dollarësh në ditë për dy anijet që prodhojnë energji të vendosura në Triport në Vlorë a është zgjidhja më e mirë, Duro tha se është zgjidhje e detyrueshme.

Sa i përket nismës së qeverisë për të rritur çmimin e energjisë për të gjitha ato familje që harxhojnë më shumë se 700 khv energji elektrike, Duro tha se shpërndarja e riskut është diçka pozitive pasi e bën më të përballueshme krizën.

Ndërkohë i pyetur për amnistinë fiskale, Duro tha se kjo do të ndikonte pozitivisht në ekonominë shqiptare, në rast se amnistia do të bëhej brenda një kuadri të mirë studiuar.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Kemi dy anije të vendosura në Triport në Vlorë 94 mijë dollarë në ditë për të mbuluar 17% të furnizimit me energji elektrike, është një zgjidhje e mirë në kohë krize?

Duro: Është një zgjidhje e kushtëzuar nga rrethanat. Është një zgjidhje edhe pse ofron zgjidhje, por çmimi që do të paguajmë është 40% më i ulët se çmimi aktual i tregut, por jo dhe aq efiçente sa çmimi që prodhojmë nga burimet hidrike. Janë shtuar fondet për blerjen e energjisë elektrike në 20 miliardë lekë, presim një sezon turistik që do të jetë në ekspansion. Vendosja e këtyre dy gjeneratorëve mund të ndikojë shumë mirë në shpërndarjen e kostove për energji. Të shpresojmë të rikuperojmë humbjet në rrjet.

Xhokaxhi: Sa mundësi ka Shqipëria të përdorte mënyrat e tjera alternative, duke qenë se jemi vend me diell dhe me erë?

Duro: Sektori i energjetikes është një sektor që shpjegon keqfunksionimin e këtyre 30 viteve në Shqipëri. Pas viti 2013 pati përmirësime sa i përket humbjeve në rrjet apo faturave, por sërish nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Kjo duhet të zghjojë politikanët për adresimin e situatës.

Xhokaxhi: Qeveria shqiptare po studion mundësinë për rritjen e energjisë elektrike për ato familje që harxhojnë mbi 700 khv, sa mund ta përballojnë shqiptarët?

Duro: Në kohë krizash nëse ka mundësi për të shpërndarë riskun, kjo e bën më të kalueshëm riskun. Unë e kam thënë që në fillim që ai që ka mundësi për të paguar më shumë çmimin e energjisë elektrike, pse të mos ndodhë.

 Xhokaxhi: Amnistia fiskla ka kundërshtarë shumë të fortë, por dhe përkrahës shumë të fortë, tek cila kategori hyn?

Duro: Unë dua të jem racional, duke patur parasysh që kemi një borxh të lartë, amnistia fiskale mund t’i shërbejë produktivitetit në ekonomi. Mos harrojmë që kemi 10 vite që performojmë me një rritje ekonomike shumë të ulët. Por nga krahu tjetër doja të thoja se amnistia mund të jetë thikë me dy presa, pasi mund të dëmtojë moralin e shoqërisë.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!