“A duhet një vaksinë e tretë kundër Covid?” Mjeku: Dy doza mbrojnë nga varianti Delta

schedule12:34 - 26 Korrik, 2021

schedule 12:34 - 26 Korrik, 2021

Mjeku Kita Sallabanda në një intervistë në “ABC” foli për variantin Delta i cili u konfirmuar edhe në Shqipëri nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjeku u shpreh se mutacioni Delta i Covid ka një karakteristikë kryesore që lidhet me transmetueshmërinë, pasi është një variant shumë ngjitës.

“Karakteristikë kryesore e tij është se ky mutacion është shumë infektues dhe ka kapur kryesisht moshat e reja. Vaksinat si Pfizer, Astrazeneca janë një mbrojtje e mirë kundër këtij varianti. Por në një kontakt për rreth 6-7 sekonda me një person të prekur me mutacionin Delta mund të infektohesh.

Ky variant paraqitet me ruf, pak dhimbje koke apo grip. Po ashtu pak kollë, pra karakteristikë e një gripi të lehtë. Duke kapur moshat e reja nuk kemi atë klinikë klasike që kemi pasur tek moshat e vjetra deri para 6 muajsh”, tha ai.

Gjithashtu gjatë bisedës me gazetaren Juli Xhokaxhi, mjeku theksoi se personat që janë të vaksinuar janë më të mbrojtur.

“Kemi pasur pak mortalitet sepse janë moshat e reja ato që po preken kryesisht. Unë kam pasur dy specializantë të vaksinuar me Pfizer, që u infektua me variantin Delta, por e kaluan në një formë shumë të lehtë”, tha ai.

Më tej sqaroi se personat që kanë marrë një dozë të vaksinës janë më pak të mbrojtur, me rreth 30%, duke apeluar që të bëhen të dyja dozat e vaksinës për një mbrojtje më të mirë kundër Deltas.

“Europa dhe Shqipëria janë vende që po shkojnë shumë mirë me vaksinimin e popullatës, por të mos harrojmë që vende të tjera po hasin probleme. Dhe përderisa sa nuk kemi një vaksinim global atëherë do të kemi shqetësime për shkak të këtyre varianteve të reja. Por tani ndodhemi përballë një dileme nëse duhet apo jo një vaksinë e tretë?

Deri tani është vendosur që nuk është e nevojshme të bëhet një vaksinë e tretë. Por do të shohim në shtator dhe tetor se si do të jetë situata epidemiologjike. Ata që kanë kaluar Covid dhe ata që janë vaksinuar janë përafërsisht 80% të mbrojtur sa i përket variantit Delta”, tha Sallabanda.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!