A do të takohet me Berishën? Meta: Nga sot nis puna, çdo ditë pa ndërprerje

schedule20:59 - 25 Korrik, 2022

schedule 20:59 - 25 Korrik, 2022

Pas përfundimit të Konventës së Partisë Lëvizja për Integrim, e cila nga sot do të quhet Partia e Lirisë, Ilir Meta tha se LSI-ja e ka kryer misionin e saj dhe se nga sot nis puna pa ndërprerje.

Sipas Metës konventa e ardhshme duhet të përmbyllet në dy muaj.

“Nga sot nis puna, çdo ditë pa ndërprerje sepse në dy muaj duhet të jetë përmbyllur konventa e ardhshme e cila do jetë jam i sigurt një mesazh i jashtëzakonshëm i shpërthimit të energjive më vitale të të rinjve, të intelektualëve në mbrojtje të dinjitetit të tyre, të familjeve të tyre dhe atdheut tonë”, u shpreh Meta.

Për sa i përket një takimi të mundshëm më kreun e Partisë Demokratike, Meta preferoi të mos i përgjigjej gazetarëve.

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi këtë të hënë Konventën e fundit Kombëtare të saj, pasi prej ditës së sotme kjo forcë politike do të quhet Partia e Lirisë.

Që në nisje të Konventës delegatët e pranishëm miratuan ndryshimet statutore që ishin ndryshimi i emrit dhe vulës së partisë si dhe emërimi i një grupi drejtues të kryesisë deri në momentin e zgjedhjeve të reja në parti.

Ishte ish-themeluesi i LSI, Ilir Meta, i cili bëri publik emrin e ri të forcës politike që do të quhet Partia e Lirisë.

Partia e re, do të drejtohet nga Ilir Meta deri në zgjedhjet q do të zhvillohen pas dy muajsh. Ndërkohë që zëvendës i tij është zgjedhur ish-diplomati Agim Nesho.

Ndërsa më herët kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka depozituar dorëheqjen si kryetare e LSI-së, për t’i hapur rrugë ndryshimit të emrit të partisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!