A do të shkarkohet Mike Johnson? Rrezikon detyrën pasi votoi pro paketës për Ukrainën, ishte paralajmëruar nga republikanët

schedule17:44 - 21 Prill, 2024

schedule 17:44 - 21 Prill, 2024

Pas disa muajsh ngërçi politik në Uashington, Kongresi Amerikan miratoi paketën prej 60 miliardë dollarë ndihmash për Ukrainën. Figura kryesore e kësaj arritje nuk ishte vetëm qeveria e Joe Biden por gjithashtu edhe Kryetari Republikan i dhomës së Përfaqësuesve.

Mike Johnson tregoi një guxim politik që është i pazakontë në Uashington. E gjitha kjo pasi Johnson vuri në rrezik postin e tij aktual.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve ishte paralajmëruar qartazi nga republikanët e partisë së tij se një miratim i tillë mund të sillte një mocion për shkarkimin e tij nga kjo detyrë. Deri më tani janë tre republikanë që kërkojnë shkarkimin e Mike Johnson si kryetar i dhomës së përfaqësuesve dhe në javët në vijim ky numër mund të rritet.

Diçka e tillë nuk do të ishte e pamundur, pasi edhe vetë paraardhësi i Johnson në këtë post, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthey u shkarkua nga ky post si rezultat I një mocioni mosbesimi nga republikanët, të cilët e akuzuan atë për tradhti për shkak të ndihmave ushtarake për Ukrainën.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, Ii cili synon të kthehet në Shtëpinë e Bardhë ka kundërshtuar ashpër ndihmat për Ukrainën duke thënë se ëashingtoni nuk mund të financojë konflikte në kohën që ka probleme të brendshme më të rëndësishme. Megjithatë ndihmat për Ukrainën në Kongresin amerikan u miratuan mbrëmjen e të shtunës me konsensus dy partiak.

Kjo mund t’i japë Mike Johnson një siguri për mbajtjen e postit të tij, por bashkëpunimi në të ardhmen me demokratët për çështje të tjera mund të shkaktojë zemërim brenda partisë republikane. Pas miratimit të 60 miliardë dollarëve ndihma për Ukrainën, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson deklaroi se Kievi duhet të veprojë me mençuri dhe se duhet të sigurohet monitorim transparent i këtyre ndihmave.

Javët në vijim pritet që të përcaktojnë edhe fatin politik të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa besimi i disa prej republikanëve për figurën e tij është lëkundur./abcnews.al