A do të ndalohet fluturimi mbi Ukrainë? Stoltenberg: Do të çonte gjithë Evropën në luftë

schedule14:36 - 4 Mars, 2022

schedule 14:36 - 4 Mars, 2022

Ndërkohë që Rusia vijon prej ditësh agresionin e saj ushtarak, thirrja e vazhdueshme nga autoritetet për NATO-n ka qenë të ndalohet fluturimi mbi Ukrainë.

Sekretari i përgjithshëm i organizatës Jens Stoltenberg e ka përjashtuar sot këtë masë, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të rezultojë në një luftë të gjerë në Evropë.

Duke folur të premten pas kryesimit të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s, Stoltenberg tha: “Ne nuk do të lëvizim në Ukrainë, as në terren, as në hapësirën ajrore të Ukrainës”.

Stoltenberg shtoi: “Mënyra e vetme për të zbatuar një zonë të ndaluar fluturimi është dërgimi i avionëve luftarakë të NATO-s në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe më pas vendosja e asaj zone ndalim-fluturimi duke rrëzuar avionët rusë.”

Sekretari i përgjthshëm i NATO-s, ka paralajmëruar gjithashtu se ditët në vijim ka të ngjarë të jenë më të këqija për sa i përket luftës Ukrainë-Rusi. Gjatë fjalimit të tij në Samitin e ministrave të jashtëm në Bruksel, Stoltenberg, tha se Rusia mund të përdorë armë më të rënda ndërsa forcat ruse përparojnë në  Ukrainë.

“Ditët në vijim ka të ngjarë të jenë më të këqija, me një numër më të lartë viktimash, më shumë vuajtje dhe  shkatërrime, pasi forcat e armatosura ruse do të vazhdojnë sulmet e tyre në të gjithë vendin.”

KËTU lexoni gjithçka nga lufta sot në Ukrainë

Stoltenberg tha se NATO ka përgjegjësinë për të siguruar që konflikti të mos shtrihet përtej Ukrainës.

“NATO nuk po kërkon një luftë me Rusinë,” tha ai.

Sipas tij, NATO nuk ka vendosur për mbylljen e hapësirën ajrore ukrainase por aleatët kanë rënë dakord që asnjë avion i NATO-s nuk do të fluturojë mbi hapësirën ajrore të vendit” dhe se nuk do të ketë trupa të NATO-s në territorin ukrainas.

Ne nuk do të dërgojmë trupa në Ukrainë, as në tokë, as në hapësirën ajrore”, ritheksoi Stoltenberg.

“Ne e kuptojmë dëshpërimin, por gjithashtu besojmë se nëse do ta bënim, diçka e tillë do të përfshinte në luftë shumë vende të Europës.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!