Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me ngjarjen në Gramsh, ku dy shtetas rusë dhe një ukrainas tentuan të futen në uzinën ushtarake.
I pyetur nëse pas këtij incidenti do të ndalohen vizat për shtetasit rusë, Balla tha se duhet pritur përfundimi i hetimeve, ndërsa sulmoi edhe opozitën.
“Mendoj që reagimi i gjithë zinxhirit të strukturave shtetërore, qoftë të Ministrisë së Mbrojtes dhe Frocave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të hetimit, ka qenë në nivelin më të lartë dhe të mirë të mundshëm. Jemi në kushtet që ka pasur një përpjekje që dyshohet për aktivitet spiunazhi, që është asgjësuar. Shqipëria mbetet vend anëtar i NATO-s, mbështet përpjekjet e botës demokratike në mbështetje të rezistencës ukrainase, nga një pushtim i pajustifikuar. Do këshilloja këdo, edhe gjithë gjelat e politikës së opozitës që të presin hetimet. Të presin verdiktin e institucioneve të sigurisë që do zbardhin ngjarjen. Opinionin për shqiponjën nuk mund ta japin dot gjelat e detit. Mendoj që organet shtetërore shqiptare meritojnë falenderim për reagimin e menjëhershëm dhe asgjësimin në kohë të një përpjkjeje që dyshohet të jetë aktivitet spiunazhi”, tha Balla. /abcnews.al