Me numra apo emra? Në orën 17:30 merr fund dilema mbi fletën e votimit për zgjedhjet e 25 prillit. KQZ do të mblidhet pasditen e sotme për t’i vendosur vulën debatit.
PD kërkon që në fletën e votimit të jenë të gjithë emrat e kandidatëve, ndërsa këtij propozimi i është qasur edhe PS-së pas “presionit” të vetëve duke u tërhequr nga varianti i numrave. Megjithatë versioni zyrtar do të dalë në orën 17:30.
Një tjetër cështje që do të diskutojë KQZ pas pak lidhet edhe me emrin e Bashkim Finos në listën e kandidatëve në qarkun e Fierit. Ish-kryeministri, që ishte i renditur i katërti në Fier, u nda nga jeta ditën e djeshme, ndërkohë pritet për t’u parë nëse emri i tij do të hiqet nga lista.
Hapësirë ligjore për ta hequr nuk ka, pasi kodi i ri elektoral jo vetëm nuk parashikon sesi procedohet në një rast të tillë, por tanimë listat e kandidatëve për deputetë janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Një burim nga KQZ, i tha gazetares së ABC, Esiona Konomi se po shihet mundësia që emri i Finos, të hiqet nga lista me mirëkuptimin e PS-së./ db/ Abcnews.al