A do të ketë rivotim në Han të Elezit, sot pritet vendimi i Supremes

schedule08:51 - 25 Tetor, 2021

schedule 08:51 - 25 Tetor, 2021

Gjykata Supreme pritet të marrë vendim sot për ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që Komuna e Hanit të Elezit të shkojë në rivotim.

PDK-ja ka paraqitur ankesën e vet brenda afatit ligjor. Këtë për Express e ka konfirmuar këshilltari juridik i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahi.

“Mund të konfirmoj se brenda afatit ligjor e kam deponuar ankesën dhe shresoj që ankesa sot të marrë epilog”, ka deklaruar Fetahi.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Gjykata Supreme merr vendim në afatin prej 72 orëve, pas paraqitjes së ankesës.

“Mund të apelohet vendimi i PZAP-it, sikurse që PZAP-i mund të rishikojë cilindo nga vendimet e marra, pas prezantimit të fakteve të reja nga pala e interesuar. Ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës mund të paraqitet brenda njëzetekatër (24) orëve nga momenti i marrjes vendimit nga PZAP-i , në rast se gjoba e përfshirë është më e lartë sesa pesëmijë (5.000) Euro ose në rast se çështja prek një të drejtë themelore. Gjykata Supreme vendos në afatin prej shtatëdhjetedy (72) orëve pas paraqitjes së apelit”, bëhet e ditur në Ligj.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Sipas PZAP-së, zgjedhjet janë anuluar për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit dhe mbështetjes së votuesve.

Ankesën në PZAP e ka bërë kryetari aktual i Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili kishte deklaruar se sipas vëzhguesve të subjektit të tij të pavarur, kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Mehmet Ballazhi, dhe kandidatët për kuvend komunal të këtij subjekti kishin vizituar të gjitha vendvotimet në Han të Elezit dhe disa lokacione tjera duke i takuar qytetarët dhe duke i kërkuar që të votojnë numrin 177 dhe numrat e kandidatëve për kuvend komunal./GazetaExpress/