A do të ketë mbyllje në orën 18:00? Si përgjigjet Albana Fico

schedule08:53 - 1 Mars, 2021

schedule 08:53 - 1 Mars, 2021

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico tha mbrëmjen e djeshme se asnjë masë nuk ka vlerë nëse nuk respektohet nga qytetarët. Në një lidhje me Klan News, Fico nuk dha detaje se çfarë vendimi do të marrë sot Komiteti Teknik i Ekspertëve sa i takon masave anti-Covid, në një kohë kur flitet për një ashpërsim të tyre, por theksoi se në fund duhet një dakordësi që u shërben të gjithëve.

Pyetje: Nesër ose në komunikimin e radhës nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, do të mbyllemi në orën 18:00 siç është folur një skenar edhe më herët nga ana e kolegëve tuaj zonja Fico? Dhe mbi të gjitha, kur do të kemi skenarin  e radhës që është shkollat të gjitha online siç na deklaroi anëtari i Komitetit zoti Koraqi, para dy ditësh këtu në Klan News?

Fico: Nuk e kam ndjekur deklaratën e profesor Koraqit, po unë po të them praktikën. Unë sot nuk e kam përgjigjen, po ta kem praktikën..

Pyetje: Sipas jush, duhet të mbyllemi më herët për shkak të masave dhe asaj që po ndodh në terren?

Fico: Unë besoj asnjë masë e cila, le të themi, paralajmërohet dhe nuk zbatohet, nuk ka asnjë vlerë. Kjo është qasja ime. Nuk ka vlerë të marrësh masa dhe të mos i zbatosh. Ne bëjmë debate, shikojmë opsione, por besoj që vendimmarrja ka qenë ajo, masat kanë mbetur në fuqi, kemi një lloj selektiviteti në raport me mësimin online të shkollave.

Të jeni shumë të sigurt që në momentin që dakordësohet një masë e cila është e mbështetur nga elementë të gjithanshëm, në radhë të parë shëndeti dhe më pas të gjithë tjerat, do t’ju komunikohet. Ne bisedojmë si në të gjitha grupimet ku ka një përgjegjësi të veçantë, me mendime secili, por në fund duhet të ketë një dakordësi që u shërben të gjithëve. Por edhe njëherë, edhe 100 herë, ju lutem të gjithëve, jo vetëm s’e kemi fituar betejën, mos harroni që jemi ende në dimër… çështja është që ne deri tani, kemi vetëm një gjë në dorë, të zbatojmë masat, ju lutem”.

/mv.abcnews.al