A do të jetë anglishtja, gjuha zyrtare e BE-së pas Brexit?

schedule12:28 - 5 Janar, 2021

schedule 12:28 - 5 Janar, 2021

Tashmë që Mbretëria e Bashkuar nuk është më zyrtarisht pjesë e Bashkimit Europian, a do të jetë ende anglishtja gjuha zyrtare?

Zërat se Europa mund të vijojë pa gjuhën angleze si pasojë e Brexit kanë nisur të përhapen që në fazat e para të negociatave për divorc.

Por komisioni Europian ka hedhur poshtë thashethemet se pas Brexit, anglishtja nuk do të jetë më gjuha zyrtare në Bashkimin Europian.  KE-ja ka konfirmuar se anglishtja do të jetë gjuha zyrtare e BE-së.

Në një artikull të botuar në gazetën skoceze “The National” citohej një korrespodent i çështjeve europiane, i cili pohoi se anglishtja “do të bëhej vetëm një gjuhë pune, pasi vendet anëtare vendosën të mos e përdornin atë për përkthimet e dokumenteve.

” Këto deklarata u shpërndanë edhe nga “The New European”. Por BE-ja i mohoi thashethemet.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Anglishtja do të mbetet gjuhë zyrtare.”, tha një zëdhënës i Komisionit Europian.

Anglishtja ka qenë një gjuhë zyrtare e bllokut që nga viti 1973. Në faqen zyrtare të Bashkimit Europian, blloku përsërit se edhe pas tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, anglishtja mbetet një nga gjuhët zyrtare të Irlandës dhe Maltës.

Si pasojë e referendumit britanik të qershorit 2016 komisioni europian ka theksuar se çdo modifikim i regjimit linguistik i institucioneve europiane do të jetë subjekt i votës unanime të këshillit europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!