A do prishet marrëveshja pas tensioneve? Përgjigjet Çuçi: MEK tregoi se nuk është gati të respektojë ligjet shqiptare

schedule17:46 - 20 Qershor, 2023

schedule 17:46 - 20 Qershor, 2023

TIRANË- Pas tensioneve të sotme, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se nuk do të prishet marrëveshja mes Shqipërisë dhe anëtarëve të MEK.

Ai tha se marrëveshja do të vijojë, ndërsa shprehet se pret një ndryshim në sjelljen e tyre, sa i takon respektimin të ligjeve dhe rregullave shqiptare.

“Marrëveshja do vijojë, por do ketë edhe një reflektim në lidhje me sjelljen e tyre ndaj institucioneve shqiptare, sepse me veprimet e sotme treguan se nuk janë gati për t’i zbatuar ligjet në Shqipëri. Nuk kemi menduar për të prishur marrëveshjen, ne do t’i mbrojmë për sa kohë kemi marrë përsipër. Do jenë vetëm për qëllime humanitare. Dhunë s’ka patur. E kundërta është e vërtetë, ata kanë rezistuar ndaj veprimeve të policisë”, tha ai.

Ai tha se amerikanët nuk janë pjesë e marrëveshjes, ndërsa shtoi edhe njëherë se nuk ka pasur dhunë brenda kampit.

“Duhet ta kenë të qartë ata dhe çdo njeri në Shqipëri që vendimet e Gjykatës nuk diskutohen, por zbatohen. Ata nuk pranonin as ta merrnin vendimin e gjykatës. Ajo deklarata për dhunë duhet tërhequr mbrapsht dhe ata le të marrin edhe pamjet e njerëzve të tyre brenda dhe nëse ka një rast që një efektiv ka prekur një person, mund ta quajnë dhunë, megjithëse prekja nuk është dhunë. Lidhur me partnerët, duhet ta dini që amerikanët nuk janë pjesë e marrëveshjes. Amerikanët janë partnerët tanë më të ngushtë dhe ne jemi në një linjë për sa i përket zbatimitt ë ligjit ndërkombëtar dhe në Shqipëri”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!