Roeni një inxhineri i ri elektronik sa herë ndodhet përpara një detyre të komplikuar i drejtohet inteligjencës artificiale.
“ Për kode inteligjenca artificiale është shumë e shpejtë, shumë e kollajtë, nëqoftë se nuk ke shumë njohuri të tuat dhe do të mbarosh punë shpejt inteligjenca artificiale është gjeja më e mirë. Më parë kërkoja vetë, më duhej më shumë kohë se tani.” – tha Thanasi.
Roen bën pjesë tek 24% e shqiptarëve të cilët besojnë se inteligjenca artificiale i ndihmon. Sipas një ankete realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në gjashtë shtete Shqipëria ka numrin më të madh të popullsisë në rajon që ndanë këtë mendim.
“ Unë mendoj që na ndihmon, sidomos në mjekësi po dhe në aspekte ditore, në punë, në transport, makinat me inteligjencë artificiale përdoren në shumë vende të botës, sidomos në vendet e zhvilluara, ndoshta do të vijë koha që do të përdoren dhe në Shqipëri.” – u shpreh ai për kamerën e ABC News.
Por shqiptarët janë dhe më të frikësuarit në rajon nga inteligjenca artificiale dhe këta janë shumë më tepër se të parët. Rreth 46% e të pyeturve mendojnë se ajo do të dëmtojë njerëzit dhe ekonominë në 20 vitet e ardhshme. Ndiqen nga serbët e boshnjakët përkatësisht me 45 dhe 44%.
“ Inteligjenca artificiale është një mjet, mënyra se si do ta përdorim do determinojë sa do na ndihmojë e sa do na dëmtojë.” – tha Nako.
Inteligjenca artificiale po automatizon procese dhe detyra duke reduktuar nevojën për fuqi punëtore në industri të ndryshme. Shumë persona ndjejnë rrezikun e humbjes së punës.
Por për Ergestin specialist për teknologjinë e informacionit prej 20 vitesh medalja ka dy anë.
“Na jep mundësi për të patur zhvillim ekonomik më të shpejtë sidomos kur mungojnë burimet njerëzore. Puna që bëhet nga njerëzit në montim në fabrika të mëdha është ajo që do zhduket e para. Ka në tendencë se programimi do jetë më pak i nevojshëm. Ajo që do jetë problem, mënyra sesi në nivel qeveritar apo shoqërie civile si do ti qasemi riaftësimit të këtyre njerezve. Ne nuk e humbasim atë punë, ajo automatizohet, ata që ishin në këtë detyrë specifike ne duhet ti trajnojmë për detyra të tjera. “
Ndërsa disa sektorë mund të zhduken të tjerë mund të zhvillohen.
“ Robotët menaxhohen nga kirurgë për të kryer operacione që me metoda tradicionale do ishte e pamundur për të kapur organe specifike ose mund të kishte dëme më të mëdha. “
Por nëse sot njeriu është ai që drejton, përballë vrullit që po merr teknologjia ajo që frikëson është se sa pavarësi mund të krijojë inteligjenca artificiale në të ardhmen.
“Në një kohë të shkurtër do të kemi sistem inteligjence që do të ketë 95% të aftësive të njeriut më të zgjuar. “ / abcnews.al