Ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh sonte në “Log.” se përgjatë një viti nga lufta me koronavirusin janë 3200 mjekë të infektuar me COVID-19. Sa i përket numrit të mjekëve që kanë humbur jetën nga sëmundja, ministrja për arsye etike nuk preferoi t’i cilësonte në numra.
“Për arsye etike do të preferoja që humbjet e jetës së mjekëve të mos i cilësoja në numra. Janë 3200 mjekë që përgjatë një viti kanë rezultuar të prekur me COVID-19 dhe praktikisht nëse do të krahasonim me vende të tjera është një përqindje që konsiderohet në tërësi, të tëra vendet e kanë pasur” tha ajo.
E ndërsa për mësuesit dhe pedagogët në sistem publik ka nisur vaksinimi, pyetja shtrohet se cfarë do do të ndodhë me ata që janë në privat? Ministrja i qetësoi duke thënë se “Mësuesit dhe pedagogët në sistemin publik dhe jo publik do të vaksinohen”.
E pyetur nëse do të lejohet që vaksinat anti-Covid të bëhen nga privati me pagesë, për ata që nuk duan të presin radhën, ministrja tha se shteti nuk do ta lëshojë, sikur ndodhi me tamponët, pra nuk do të ketë liberalizim të tregut. “Deri tani të gjitha proceset janë bërë nga qeveritë, ne do të vijojmë me këtë, pastaj sesi do të vijojë… Vaksinat do të jenë të garantuara nga shteti” tha ajo.
Por si po bëhet shpërndarja gjeografike e vaksinimit? “Aspekti i vaksinimit është vlerësuar nga ekspertët e ISHP me njësitë vendore” tha ajo. Pak ditë më parë një i moshuar në Fier, akuzoi se vaksinat po përdoren për politikë. “Kjo është keqdashësi ta thuash këtë. Nuk dua që diskutimi të politizohet. Unë po e them në asnjë moment nuk kemi pretenduar që ne jemi perfekt, aq më tepër në një situatë pandemie globale, apo në një proces që nuk ka 300 ditë që po ndodh, por pas janarit dhe po vijon” përfundoi ministrja. / db/ Abcnews.al