A do kthehemi në karantinë? Ekspertët paralajmërojnë masa të reja, skenarët dhe propozimet

schedule22:38 - 26 Shkurt, 2021

schedule 22:38 - 26 Shkurt, 2021

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi dje që masat kufizuese për parandalimin e pandemisë së COVID-19 të mbeten të pandryshuara, që do të thotë se lëvizja do të jetë e lirë deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Por ditën e sotme, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino foli për një ashpërsim të masave me një vendim të ri që pritet të njoftohet ditën e hënë pas vlerësimit të situatës përgjatë fundjavës.

Sondazhi në Abcnews.al

Sot Abcnews.al hapi një sondazh në faqet e Facebook-ut, ku u pyetën qytetarët nëse na duhet një karantinë e dytë. Mendimet janë të ndryshme, por mes tyre dominojnë ata që kërkojmë ashpërsim të masave apo shtim të kontrolleve, duke pasur parasysh pasojat ekonomike që mund të kishte një mbyllje totale. Ka nga ata që kërkojnë mbylljen e bareve dhe restoranteve ose përforcimin e kontrolleve në ambientet me shumë njerëz.

Skenarët

Nga skenarët e përfolur deri më tani përjashtohen lirimi i masave për një kohë të pacaktuar. Pak ditë më parë, zv/ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini tha në ABC se dy propozimet kryesore janë ai për stacionim të orës policore, ose zgjatje të saj. Ndërkohë që skenarët e tjerë që janë përfolur janë karantinë për një muaj, mbyllje përgjatë fundjavës ose zgjatja e orës policore nga ora 18:00 deri në orën 06:00. Vendimi për masat e reja pritet të komunikohet nga autoritete shëndetësore në fillim të javës së ardhshme.

Vaksinimi

Aktualisht në vend po vazhdon procesi i vaksinimit për personelin shëndetësor dhe të moshuarit mbi 80 vjeç, ndërkohë që në listë pas tyre janë grupet e rriskuara me sëmundje bashkëshoqëruese. Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar se më pas do të vijohet me mësuesit dhe efektivët e policisë në mënyrë që deri në stinën e verës një pjesë e madhe e popullsisë të jetë imunizuar. Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur rreth 16 mijë vaksina nga kontrata me Pfizer, ndërkohë që pritet që ditën e hënë të mbërrijë edhe një parti me 15 mijë të tjera./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!