A do hapen negociatat? Haçkaj: Është normale që Rama të mos jetë entuziast, këto janë pikat që po diskutohen

schedule22:41 - 6 Mars, 2020

schedule 22:41 - 6 Mars, 2020

I ftuar mbrëmjen e së premtes në “Provokacija” me Mustafa Nanon, ishte në pjesën e fundit Ardian Haçkaj, drejtori i hulumtimit pranë Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Bashkë me Nanon, zoti Haçkaj foli për procesin e hapjes së negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian, rreth qëndrimit të mbajtur nga KE, Presidenti francez Emmanuel Macron, Holanda si dhe kancelaria gjermane Angela Merkel.

Në fillim të bisedës drejtuesi i emisionit thekson se ka vënë re se kryeministri Rama nuk po tregon ndonjë entuziazëm të madh sa i përket hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Më tej ai u shpreh se kjo mund të jetë një mënyrë e kryeministrit për të “qenë brenda” në rast të ndonjë zhgënjimi tjetër të mundshëm.

Kam vënë re kryeministrin Rama që nuk ka demonstruar ndodnjë entuziazëm, duket sikur e ka strategji që të mos ballafaqohet me ndonjë zhgënjim si në herën e kaluar. Kjo është logjika?

Haçkaj: Është një zgjedhje racionale e kryeministrit shqiptar duke marrë parasysh rastët e kaluara… Është logjike është e kuptueshme. Domethënë po luan me barazimin në xhep: Po të hapen është shumë mirë po nuk u hapën ne do vazhdojmë me reformat.

Po në fakt do hapen?

Haçkaj: Asnjeri nuk e di. Shpresat janë pozitive. Raporti i Progresit të Komisionit Evropian sapo doli para dy javëve dhe pati një konkluzion shumë pozitiv.

Më tej drejtori i hulumtimit pranë Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim thekson se KE ka adoptuar një strategji të re të zgjerimit të riparë në shkurt dhe kjo strategji i ka dhënë përgjigje shqetësimeve të presidentit Macron sa i përket kushteve që nuk mund të përmbusheshin nga një pjesë e vendeve kandidate siç është Shqipëria.

Pse çfarë ka ndodhur këto muaj?

Haçkaj: Nuk ka ndodhur ndonjë gjë shumë e rëndësishme përveçse Shqipëria ka progresuar pak më shumë në rrugën e përmbushjes së kushteve. Por, ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është se kur u tha jo para 1 viti kryesisht nga presidenti Macron u kërkua që të përmbusheshin dy kushte. E para që të rritej kontrolli dhe siguria që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të ktheheshin mbrapa gjatë progresit të tyre drejt BE… dhe e dyta do të ishte që BE do të arrinte që ta menaxhonte më mirë procesin.

Më tej duke shpjeguar ndryshimet, Haçkaj shpjegoi se vendimi i KE që ka dalë para 10 ditëve përmban një farë mënyrë një konsultim shterues të komisionit dhe vendeve anëtarë.

Ardian Haçkaj është optimist sesa kryeministri Rama se do të çelen negociatat.

Haçkaj: Mendoj që Rama është kryeministër, është njëri politik dhe ndoshta ka mjeshtëri shumë e shumë më të përparuar se unë për t’u sjellë në publik.

Është më i informuar se ju?

Haçkaj: Sigurisht.

Marrja e vendimit për metodologjinë e zgjerimit, sipas asaj që tha Haçkaj po fokusohet në disa pika kryesore si: çfarë diskutohet në Bundestagun gjerman, si e konsideron presidenti Macron dhe si po diskutohet kjo problematikë në parlamentin holandez. Më tej ai shton se  Bundestagu do të japë një vendim pozitiv, veçse nëse ndodh diçka e paparashikueshme në Ballkan ndërsa Macron, me ndryshimet e reja, mori ato që kërkonte. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!