Meta: Dua kohën e mjaftueshme për të vendosur për Ramën minisër të Jashtëm

schedule22:57 - 14 Janar, 2019

schedule 22:57 - 14 Janar, 2019

Kreu i shtetit ka nevojë për kohën e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të vendosur lidhur me propozimin e kryeministrit Rama për të marre ai vetë postin e ministrit të jashtëm, pas refuzimit të kandidaturës së Gent Cakajt. Meta e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste për emisionin “Opinion” në TV Klan, ku tha se çdo veprim do të bëhet me përgjegjshmëri e duke respektuar Kushtetutën, por gjithsesi ky vendim do të merret brenda 7 ditësh.

Meta deklaroi se nuk e ka shkarkuar ministrin e Jashtëm Bushati, pasi nuk ka qenë i bindur për kandidatin e propozuar dhe vendi, në këto momente të rëndësishme, nuk mund të qëndrojë pa ministër të jashtëm. Në intervistë, Presidenti i Republikës sqaroi sërish arsyet, sipas tij, për mosdekretimin e Gent Cakajt për ministër të jashtëm.

Meta tha se Gjykata Kushtetuese nuk shprehet dot për kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës per te emeruar apo shkarkuar ministra. “Të vësh në pikëpyetje këtë kompetencë kushtetuese që Kushtetuta ia ka dhënë Presidentit, është njësoj sikur Presidenti të çojë në Gjykatë Kushtetuese kompetencën që Kushtetuta i jep kryeministrit për të propozuar”– u shpreh Meta.

Presidenti akuzoi kryeministrin se me arrogancën e tij është shkak për këtë situatë të gjithanshme konfliktuale nëvend.

I pyetur nga gazetari Fevziu për një raport të tensionuar mes tij dhe Ramës, Meta u përgjigj se për të nuk ekziston asnjë problem personal.

Problemi, sipas tij, është që zoti Rama nuk i respekton dot institucionet. “Për të, çdo gjë që i pëlqen është kushtetuese dhe e ligjshme. Çdo gjë që nuk i pëlqen është anti-kushtetuese dhe e paligjshme”– tha Presidenti Meta./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!