Prej dy ditësh sytë e të gjithëve janë te kasaforta që ndodhet në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së në selinë blu, Edi Paloka. Sali Berisha pretendon se ka dorëzuar 4200 firma të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar për të bërë ndryshimet në statut, lëvizje që ka për qëllim largimin e Lulzim Bashës.
PD nuk e njeh procesin. Lulzim Basha dhe Gazment Bardhin e kanë cilësuar bllof të ish-kryeministrit. Numri dy i PD-së tha dje se firmat duhet të dorëzohen sipas procedurës në protokoll dhe më pas të kalojnë në dorën e tij për të bërë verifikimet dhe jo nga dera e pasme për te zyra e Palokës.
“ABC” ishte sot në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka, i cili ka çelësat e kasafortës. Edi Paloka nxori nga kasaforta formularët, por nuk pranoi të tregojë emrat e delegatëve që kanë firmosur.
Ai i kërkoi lidershipit të PD-së që nëse donte të shkonte në zyrën e tij dhe të verifikonte formularët me firmat e delegatëve.
Enigma vazhdon të mbetet e pazbuluar nëse Berisha i ka mbledhur me të vërtetë 4200 firma apo kemi të bëjmë me versionin e PD-së zyrtare se gjithçka është bllof, pasi nuk i ka./ db/ Abcnews.al