Mrekulli, mijëra bletë mbijetuan nën hirin vullkanik të La Palma për 50 ditë

schedule11:40 - 12 Nëntor, 2021

schedule 11:40 - 12 Nëntor, 2021

Natyra ka gjithmonë mënyrën e saj për të gjetur një rrugëzgjidhje dhe për të mbijetuar. Disa sigurisht mund ta quajnë mrekulli por në fakt është këmbëngulja e gjallesave. Mijëra bletë ia dolën të mbijetonin nën hirin vullkanik për 50 ditë në buzë të vullkanit në La Palma, shkruan Daily Mail

Që kur vullkani Kubre Vieha shpërtheu për herë të parë më 19 shtator, kosheret, vetëm 600 metra larg vullkanit u mbuluan nga një shtresë hiri. Por pavarësisht kushteve,bletët arritën të mbijetonin për 50 ditë.

Bletët u shpëtuan të shtunën, ku oficerët e Policisë lokale të El Pasos, Njësisë së Urgjencës Ushtarake dhe Guardia Civil zhvilluan një operacion për shpëtimin e bletëve. Elías González, president i Agrupación de Defensa Sanitaria (ADS) Apicultores de La Palma, tha se pesë nga gjashtë kosheret e zbuluara ishin të  padëmtuara, raporton abcnews.al

Kosherja e gjashtë nuk ia doli të mbijetonte, por González tha se bletët mund të kenë ngordhur “jo për shkak të vullkanit, por sepse ishin tashmë të dobëta”. Ai shtoi se bletët  arritën të mbijetonin falë rezervave të tyre ushqimore.

Pronari i koshereve nuk e kishte nxjerrë akoma mjaltin e verës. Tre nga kosheret u mbuluan nga hiri, ndërsa tre të tjerat ishin pjesërisht të dukshme. Në fakt, bletët nuk e kishin humbur shpirtin e tyre luftarak teksa kafshuan policët që tentuan t’i shpëtonin.

Kosheret mund të mbajnë nga 30,000 deri në 40,000 bletë në pranverë ndërsa gjatë stinëve më të ftohta, ato mund të mbajnë rreth 20,000 deri në 25,000 bletë.

/abcnews.al