Me kanabis në makinë, arrestohen tre të rinj, policia i gjen peshoren elektronike me vete

schedule11:32 - 12 Nëntor, 2021

schedule 11:32 - 12 Nëntor, 2021

Tre persona janë arrestuar nga policia në Lezhë pasi janë kapur duke transportuar me makinë 15 kg e 387 gramë kanabis. Gjatë kontrollit të njërit prej të arresturarve që po udhëtonte si pasagjer në automjetin e ndaluar policia gjeti një peshore elektronike. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

“Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.  Sekuestrohen 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 3 shtetasit që transportonin lëndën narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, nga shërbimet e Policisë Lezhë u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Rubiku”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:  R. D., 29 vjeç, R. N., 20 vjeç dhe P. M., 21 vjeç, banues në Lezhë dhe Mirditë.

Shërbimet e Policisë Lezhë kishin marrë informacione se këta shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur “Ura Ushtarake”, në Njësinë Administrative Rubik, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetet e dyshuara, me drejtues shtetasit P. M. dhe R. D.

Gjatë kontrollit të automjeteve tip “Ford” dhe tip “Nissan”, të drejtuar nga këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit R. N., pasagjer në njërin prej mjeteve, shërbimet e Policisë i gjetën një peshore elektronike.   

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, peshorja elektronike, 3 aparate celular dhe 2 automjete. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.   Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia. /Abcnews.al