Lufta e Erdoganit ndaj së vërtetës

schedule13:49 - 11 Nëntor, 2021

schedule 13:49 - 11 Nëntor, 2021

Nga Henri J.Barkey “The Atlantic

Pesë vjet më parë, shkova në shtrat si studiues dhe u zgjova në mëngjes si autori i një grushti shteti. Pa asnjë provë, qeveria e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan më ka akuzuar zyrtarisht dhe ndjekur penalisht për nxitjen e grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.

Ndaj meje është lëshuar një urdhër arresti. Sipas tij unë jam pjesë e një grupi të madh dhe në zgjerim të bashkëpunëtorëve të dyshuar, më i famshmi prej të cilëve, Osman Kavala, një nga organizatorët më të shquar të shoqërisë civile në Turqi, që ndodhet prej vitesh në burg për krime që nuk i ka kryer.

Qeveria kërkon dënime të përjetshme plus 20 vjet të tjera për secilin prej nesh. Provat e autoriteteve turke janë fabrikuar dhe arsyetimi i tyre është haptazi egoist. Por në kontekstin e një regjimi autoritar, asgjë nga këto nuk ka vërtet rëndësi:ata kontrollojnë shtypin, gjykatat dhe opinionin publik.

Akuzat e tyre ma kanë ndryshuar jetën. Unë kam humbur shumë nga miqtë dhe kontaktet e mia profesionale, si dhe mundësinë për t’u rikthyer në vendlindje. Por ata më kanë mësuar edhe sesi funksionon konspiracionizmi në nivel procedural:si fillon ai, si përhapet, dhe si mund t’i kthejë njerëzit e zakonshëm në të dyshuar apo të pafajshëm.

Në korrikun e vitit 2016, udhëtova për në Stamboll – qytetin ku kam lindur, edhe pse tani jam një shtetas amerikan – për një seminar që kisha organizuar në cilësinë time si drejtor i Programit të Lindjes së Mesme në Qendrën Woodrow Wilson me qendër në Uashington. Seminari synonte të analizonte reagimet në Lindjes së Mesme ndaj marrëveshjes bërthamore të presidentit Barack Obama me Iranin. Dhe Stambolli ishte një vend i përshtatshëm për  grumbullimin e studiuesve nga rajoni.

U takuam në një hotel historik në Büyükada, një ishull 1 orë larg Stambollit. Ditën e tentativës për grushtin e shtetit, disa nga pjesëmarrësit në konferencë dhe unë qëndruam para ekranit televiziv të hotelit deri në orët e vona të natës, duke u përpjekur të kuptonim atë që po ndodhte, por duke marrë vazhdimisht informacion nga media ndërkombëtare.

Kur u bë e qartë se grushti i shtetit kishte dështuar, ne vazhduam me seminarin gjatë 2 ditëve në vazhdim, ashtu siç ishte planifikuar më herët. Më pas, kalova edhe disa ditë në Stamboll përpara se të kthehesha në Uashington. Pastaj erdhën artikujt në media. Ato u shfaqën në shtypin e kontrolluar nga qeveria dhe përmbanin lloj-lloj detajesh në lidhje me udhëtimin tim në Turqi – përfshirë edhe informacionet e disponueshme vetëm për autoritetet, si për shembull kohën e saktë kur isha nënshtruar kontrollit të pasaportave në aeroportin e Stambollit- që supozohej se më implikonin mua.

Ata folën gjithashtu për “intervista”e formuluara në mënyrë të çuditshme me stafin e hotelit në ishull, dhe përshkruan në detaje aktivitetet e mia “të liga”, të cilat përfshinin telefonatat nga mediat në SHBA dhe media të tjera ndërkombëtare. Nëse kjo duket absurde, e tillë është.

Por në Turqi, gjithçka mund të shpjegohet me konspiracione, sidomos me një komplot për ta penguar Turqinë të bëhet një fuqi botërore. Autorët dhe detajet e komplotit ndryshojnë gjithmonë, por kjo ide është bërë shumë qendrore në retorikën politike të vendit.

Është e pamundur të shohësh televizionet turke pa hasur në ndonjë emision, ku panelistët shpjegojnë një numër komplotesh që e kanë penguar Turqinë të bëhet një fuqi botërore. Dhe nëse do që të denigrosh një rival, gjithçka që duhet të bësh është ta akuzosh atë për kryerjen e një prej këtyre komploteve.

Sipas asaj që po lexoja nga shtëpia ime në Maryland, unë akuzohesha se isha pjesë e njëgrupi me të akuzuarin kryesor si organizatorin e grushtit të shtetit, klerikun Fethullah Gülen, i cili kishte ndihmuar jo pak në drejtimin e shtetit turk derisa ai dhe Erdogan u përplasën ashpër midis tyre. Gülen e ka mohuar akuzën dhe tani jeton në mërgim në Pensilvani të SHBA-së.

Uashingtoni ka refuzuar për mungesë provash kërkesat e përsëritura të Turqisë për ekstradimin e tij. Në imagjinatën turke, një refuzim i tillë është i barabartë me provën se kleriku duhet të jetë me siguri një aset rëndësishme që Uashingtoni dëshiron që ta mbrojë.

Dhe unë isha një mjet i përshtatshëm, nëpërmjet të cilit qeveria turke mund të ndërtonte narrativën, sipas së cilës qeveria amerikane fshihet tentativës për grusht shteti.

Unë kisha shërbyer në stafin e planifikimit të politikave në Departamentin amerikan të Shtetit, dhe njihesha për kontaktet e shumta në Uashington. Po ashtu autoritetet turke pohuan me besim të madh, se unë isha një agjent i CIA-s.Me kalimin e kohës, historia u zbukurua dhe u shtuan “detaje” të reja për sjelljen time tinëzare.

Disa ishin të zakonshme:u tha se unë kisha harruar në hotel një zile të vogël që mbante të shkruar fjalën Pensilvani (që me sa duket sugjeron një lidhje me Gülen. Nuk ka nevojë të thuhet se kjo nuk është e vërtetë. Por disa akuza ishin më të dëmshme dhe më absurde:se  gjoja unë kisha marrë pjesë në komplote për të vrarë njerëz dhe për të ndihmuar në arratinë e agjentëve të tjerë të CIA-s.

Në kohën kur unë u akuzova për herë të parë për këto krime, Kavala po gjykohej po ashtu për histori të sajuara, që e lidhnin atë me demonstratat antiqeveritare në Stamboll në vitin 2013. Kur padia fillestare ndaj tij u rrëzua nga gjykata për mungesë totale provash, autoritetet pretenduan se ai kishte komplotuar me mua për të organizuar grushtin e shtetit, duke gjetur kësisoj justifikimin për ta zgjatur paraburgimin e tij.

Ai vazhdon të jetë i burgosur prej më shumë se 4 vjetësh, pavarësisht urdhrit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për lirimin e tij. Seanca gjyqësore e radhës është caktuar për në fund të këtij muaji. Provat që e mbajnë në burg? Tre ditë pas përpjekjes për grusht shteti, ne patëm një takim të rastësishëm në një restorant të Stambollit, ku biseduam shkurtimisht, pasi që të dy do të darkonim me të tjerë.

Por në aktakuzë thuhet se unë dhe ai kemi qenë në kontakt të gjerë me njëri-tjetrin, dhe se kemi biseduar me orë të tëra në telefon. Autoritetet e bëjnë këtë akuzë, ndërsa e pranojnë se nuk kanë të dhëna të drejtpërdrejta të ndonjë telefonate midis nesh. Shumica e aktakuzës mbështetet në rastësi të parëndësishme si kjo:Në një nga udhëtimet e mia në Turqi, unë shkova në qytetin jugor të Adanas dhe Kavala shkoi po atë ditë në Francë.

Po kështu, në një rast tjetër Kavala shkoi në Francë 3 ditë pasi isha kthyer nga një udhëtim në Turqi. Kjo është përdorur si provë se ne e dinim se grushti i shtetit ishte në fazat e tij përgatitore. Të gjithë e dimë se si teoricienët e konspiracionit shpikin narrativat a tyre.

Aktakuza është fiksuar veçanërisht ndaj një vizite që kreu George Soros në Stamboll në vitin 2015, rreth 9 muaj para përpjekjes për grusht shtet, kur ai u takua me Kavala dhe İshak Alaton, një industrialist që tashmë ka vdekur. (Asnjë teori konspirative sot nuk është e plotë pa praninë e Sorosit).

Me sa duket, kjo vizitë përkoi me një reklamë në një gazetë pro-Gülen që shfaqte një foshnje. Prokurorët pretendojnë pa asnjë provë se reklama “Smiling Baby” ishte një sinjal që ndjekësit e Gülen të nisnin grushtin e shtetit. Prokurorët e pranojnë me lehtësi se nuk mund të japin prova konkrete të aktiviteteve të mia të lidhura me grushtin e shtetit.

Shpjegimi i tyre është i çuditshëm dhe kafkian:Si agjent i shërbimit sekret amerikan, unë di si t`i fsheh gjurmët e mia, dhe të përdor metoda të fshehta komunikimi. Prandaj jam fajtor. Organi u akuzës ankohet se pse nuk mundi të gjejë të dhënat e hotelit në një nga udhëtimet e mia në Adana. Por në realitet, nuk kishte asgjë për të zbuluar, sepse unë qëndrova në rezidencën e Konsullit të Përgjithshëm të SHBA-së atje.

Ndoshta unë nuk do ta shoh më kurrë shtëpinë time stërgjyshore, vendin ku janë varrosur gjyshërit e mi, dhe ku është shpërndarë hiri i prindërve të mi. Unë kam humbur kontaktet me miqtë dhe kolegët akademikë në Turqi, të cilët kuptohet që janë të shqetësuar për sigurinë e tyre, sepse qeveria turke ndjek penalisht cilindo që ajo mendon se është i përshtatshëm. Më shumë se 5 vjet pas grushtit të shtetit, njerëzit në mediat turke – të shkruara, televizive dhe sociale – më fyejnë ende dhe i propagandojnë këto gënjeshtra.

Në nivelin individual, komplotet janë shpjegimi i njeriut të dobët mbi zhvillimet që ai nuk mundet apo nuk do t’i kuptojë. Por në nivel shtetëror, ato janë armë të fuqishme. Ato janë shpikur dhe shfrytëzuar me cinizëm nga udhëheqësit për interesat vetjake. Në Turqi, ka një proverb popullor:“Damlaya damlaya göl olur, (pikë pas pike bëhet një liqen”. Pesë vjet liqeni i akuzave ndaj meje është bërë një oqean. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim:Henri J. Barkey, është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Lehigh, dhe bashkëpunëtor në Qendrën për Studimet në Lindjen e Mesme në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!