Brenda 10 ditëve të para të muajit nëntor në vendin tonë janë kryer më shumë se 15 mijë vaksinime kundër COVID. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vizitoi këtë të mërkurë qendrën shëndetësore në Selitë ku theksoi se gjendja e gatishmërisë është shtuar.
“Gjendja e shtuar e gatishmërisë është edhe në vendin tonë për faktin se jemi të fokusuar te programi më i rëndësishëm që është vaksinimi kundër COVID. Kemi filluar me dozat e treta, vaksinimin e moshave +16 vjeç dhe fëmijëve +12 vjeç që kanë probleme me sëmundje të ndryshme që lidhen me imunitetin. Më shumë se 15 mijë vaksinime janë kryer gjatë këtyre ditëve të muajit nëntor”, tha ministrja.
Ajo deklaroi se deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar me të dyja dozat 910 mijë qytetarë, ndërkohë që kanë mbërritur në total më shumë se 2 mln e 500 mijë vaksina kundër COVID.
“Vaksinimi për rritjen e mbulesës vaksinale vazhdon. Janë vaksinuar me të dy dozat më shumë se 910 mijë qytetarë, ndërkohë që vijojmë me furnizimin. Kanë mbërritur në vend më shumë 2 mln e 500 mijë vaksinimi. Do vazhdojmë me planin e vaksinimit derë më derë”, deklaroi ajo.
Një tjetër program i rëndësishëm, theksoi ministrja, është edhe ai i vaksinimit kundër gripit.
“Një tjetër program i rëndësishëm është edhe ai i gripit. Jemi të dedikuar për të mbrojtur shëndetin publik. Do vazhdojmë me vaksinimin kundër gripit. Jam e kënaqur që janë kryer më shumë 104 mijë vaksinime kundër gripit”, u shpreh Manastirliu. m.v/Abcnews.al