Një injektim me drogë mund të jetë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Festivalin Astroëorld në Teksas ku po performonte reperi i njohur Travis Scott, ku për pasojë humbën jetën 8 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Policia ka konfirmuar se ka pasur raportime se një burrë kishte injektuar drogë me gjilpërë.
Një roje sigurie që punonte në festival, i cili po përpiqej të qetësonte situatën tha se kishte ndjerë një shpim në qafë para se të humbiste vetëdijen, sipas shefit të policisë së Houston, Troy Finner. Por është e paqartë se çfarë droge i është injektuar rojës së sigurisë.
“Një nga rrëfimet ishte se një individ po i injektonte drogë njerëzve të tjerë. Ne kemi një raport të një oficeri sigurie, sipas stafit mjekësor që ishte jashtë dhe e trajtoi atë mbrëmë”, tha Finner në konferencën e së shtunës. Ndërkohë, ai tha se nuk ka pasur asnjë raportim tjetër për një injektim me drogë.
Sakaq, reperi ka lëshuar një deklaratë duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet e të prekurve nga incidenti. “Unë jam absolutisht i shkatërruar nga ajo që ndodhi mbrëmë. Lutjet e mia shkojnë për familjet dhe të gjithë ata që janë prekur nga ajo që ndodhi në Festivalin Astroworld.
Houston ka mbështetjen time të plotë pasi ata vazhdojnë të shqyrtojnë humbjet tragjike. Unë jam i përkushtuar të punoj së bashku me komunitetin e Hjustonit për të shëruar dhe mbështetur familjet në nevojë. Ju dua të gjithëve.”, ka thënë ai. /abcnews.al