Këlliçi mesazh të rinjve demokratë: Unë do të shkoj në “Foltore”, ju zgjidhni kë të doni

schedule11:36 - 7 Nëntor, 2021

schedule 11:36 - 7 Nëntor, 2021

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi shprehet se çdo anëtar i forumit rinor gëzon lirinë të zgjedhë platformën ku mund të shprehë qëndrimet e veta, referuar ndarjes Basha-Berisha. Vetë deputeti demokrat thotë se do të jenë pjesë e “Foltores” që do të zhvillohet sot me të rinjtë në Tiranë.

Unë kam folur gjithnjë me gjuhën e gjithëpërfshirjes. Jam kundër përjashtimit e linçimit publik që i bëhet bashkëdemokratëve të mendimit ndryshe. Çdo anëtar i FRPD gëzon lirinë të zgjedhë platformën ku mund të shprehë qëndrimet e veta. Unë jam pjesë e PD sepse besoj në historinë dhe potencialin tonë për të qeverisur Shqipërinë. Mandati im nuk është i përjetshëm.

Anëtarët e kryesisë së FRPD nuk janë uzurpatorë dhe as të ngujuar. Zyrat tona janë aty ku kanë qenë, në selinë e PD, për këdo që kërkon të njohë të rinjtë e saj. Kam njoftuar pjesëmarrjen në Foltore, sepse besoj se anëtarësia duhet dëgjuar kur na kritikon. Prandaj sot, në orën 12:00, në amfiteatrin e jashtëm të Akademisë së Arteve, do të jem edhe unë, për të dëgjuar këdo që nuk ka patur hapësirë të shprehet e të dëgjohet” shprehet ai.

Pak ditë më parë Lulzim Basha hapi garën për kryetarin e ri të FRPD-së, lëvizje të cilën Këlliçi dhe kryesia e forumit e kundërshtuan, ndërsa lideri demokrat u shpreh se drejtuesit të këtij institucioni i ka mbaruar mandati prej dy vitesh./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!