Betohet për një mandat të dytë Presidenti venezuelian Maduro

schedule10:56 - 11 Janar, 2019

schedule 10:56 - 11 Janar, 2019

Ka shkaktuar polemika, reagime të ashpra dhe protesta betimi i presidentit venezuelian Nikolas Maduro pas marrjes së mandatit të dytë 6 vjeçar në krye të shtetit. Në ceremoninë e betimit nuk ishin të pranishëm asnjë përfaqësues i komunitetit ndërkombëta,r i cili e konsideron Maduron si një lider të paligjshëm.

Presidenti venezuelian Nikolas Maduro është betuar duke filluar mandatin e tij të dytë në krye të shtetit, që do të zgjasë gjashtë vjet. Maduro konsiderohet nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar si një lider i paligjshëm: opozita në Venezuelë, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe disa qeveri të huaja i konsiderojnë të parregullta zgjedhjet e mbajtura në muajin maj të një viti më parë. Maduro i fitoi me më shumë se 70 për qind të votive. Në ceremoninë e betimit që u zhvillua në Karakas, kryeqytet i Venezuelës, nuk ishin të pranishëm as përfaqësues të Bashkimit Europian dhe as ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por as ata të grupit të Limës që përfaqësojnë 14 vende të kontinetit amerikan.

Pas fjalimit të Maduros, presidenti i Paraguajit, Mario Abdo, deklaroi prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Venezuelën si dhe urdhëroi largimin e menjëhershëm të diplomatëve paraguajanë nga Karakas.

Ndërkohë rreth 20 venezuelianë hynë me dhunë në ambasadën e vendit të tyre në Peru, gjatë një manifestimi kundër mandatit të ri të presidentit Maduro. Policia e Perusë hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!