Arrestohet autori i vrasjes së 28-vjeçarit Florenc Kovaçi dhe i plagosjes së vëllait të tij më të vogël 19-vjeçarit Mikel Kovaçi në Elbasan.
Burime për ABC bëjnë me dije se ai është Ardit Hida 24 vjeç. Gjatë operacionit për kapjen e tij policia gjeti dhe sekuestroi edhe thikën me të cilin autori i mori jetën 28 vjeçarit.
Përpara bluve autori e ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe të plagosjes.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një sherri me thika mbrëmjen e kësaj të premteje që agravoi në përdorimin e armëve të ftohta çka solli edhe këtë bilanc tragjik.
Viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur një djalë 28-vjeçar, ndërsa vëllai i tij i vogël 19-vjeçari Mikel Kovaçi ka mbetur i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore raportohet se është e rëndë.
Zyrtarisht, policia e Elbasanit tha se ngjarja ndodhi rreth orës 19:50, në lagjen “Qemal Stafa”. Paraprakisht dyshohet se gjithçka erdhi pas një konflikti për motive të dobëta mes dy vëllezërve dhe disa personave të tjerë.
Lexo edhe: Njëri vëlla vdiq, tjetri rëndë, si nisi sherri mes të rinjve në Elbasan, pamje nga vendngjarja
Përplasja mes palëve u përshkallëzua deri në përdorimin e thikës, që ishte fatale për 28-vjeçarin që humbi jetën. Policia thotë se po punon për zbardhjen e rrethanave./ Abcnews.al