Gara për kryetarin e ri, FRPD kundër PD-së, Berisha: Ky është akt stalinist

schedule17:40 - 5 Nëntor, 2021

schedule 17:40 - 5 Nëntor, 2021

Dy ditë para takimit të planifikuar nga Sali Berisha me të rinjtë demokratë, ku pritet të shkojë edhe kryetari aktual i këtij forumi, Belind Këlliçi, kreu i PD Lulzim Basha hapi sot garën për kreun e ri të FRPD.

Por pas vendimit të Lulzim Bashës për të hapur garën për kryetarin e ri ka reaguar FRPD duke e kundërshtuar. “FRPDSH është organizatë partnere e PDSH, ka forumet e veta dhe statutin e vet dhe çelja e garës nga PDSH është në shkelje të statutit” thuhet në deklaratë.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Sali Berisha. Nga Lushnja ku mbajti “Foltoren” e radhës, ish-kryeministri e cilësoi vendimin e Lulzim Bashës stalinist dhe u bëri thirrje të rinjve të ngrihen. “Ka vendosur pa pyetur udhëheqjen e rinisë së PD-së në kokë të tij krijimin e një komisioni për të bërë zgjedhjet në forumin rinor. Një akt stalinist, i mirëfilltë dhe i dukshëm.

Të rinjtë tek ne dhe gratë nuk janë leva të partisë, janë forume me të cilat ne ndajmë të njëjtat vlera dhe principe dhe qëllime, kanë vendin dhe pavarësinë e tyre.

Në këtë formë si ka vepruar sot, kryetari pa parti, në këto 30 vite nuk ka vepruar kurrë në njëri i vetëm, këto mund ti bënte vetëm diktatori. Ndaj u bëj thirrje të rinjve, të marrin në dorë këtë foltore sikur po e marrin cdo ditë e më shumë” tha Berisha./ Abcnews.al